English

Shteti i braktisur

Kosovarët assesi nuk e meritojnë këtë politikë, e cila, objektivisht, nuk ka lidhje me politikë dhe me demokraci. Në të shumtën e rasteve, nuk ka lidhje as me logjikë

Nga Blerim Shala

Në katër javët e fundit ka ndodhur një degradim a zhvlerësim i përgjithshëm i politikës kosovare, i cili mund të krahasohet vetëm me thyerjet e mëdha në një bursë, të cilat kanë çuar në devalvimin e valutës kombëtare, në inflacionin që ka bërë copë e grimë ekonominë dhe financat e një shteti, në krizën që ka përmbysur qëndrueshmërinë e një vendi. Mendim i tepruar? Bisedat me qytetarët e zakonshëm të Kosovës, ose, përballja me vlerësimet e tyre mbizotëruese, gjithsesi shpien në këtë konkludim. Thjesht, kosovarët assesi nuk e meritojnë këtë politikë, e cila, objektivisht, nuk ka lidhje me politikë dhe me demokraci. Në të shumtën e rasteve, nuk ka lidhje as me logjikë. Me gjë prej gjëje, në fakt. Derisa e gjithë politika vendore kinse është bërë bashkë në konstatimin që vendi gjendet në krizë të thellë institucionale, asgjë nuk bëhet që kjo krizë të trajtohet në mënyrën e duhur, apo, që të gjendet shtegdalja nga kjo situatë gjithsesi e rëndë, e cila para dhe mbi të gjitha është një epilog fare i pritur i një qeverisjeje të keqe me vendin. Para pak ditësh, një zyrtar i PDK-së, ta zëmë, doli para gazetarëve, me një mendim (të shkruar, të dakorduar pra në instancat më të larta të partisë së tij), që zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk i do populli, që ato nuk i do as PDK, por nuk ka rrugëdalje tjetër, prandaj, nuk ka çfarë të bëhet. PDK, siç e tha ky zyrtar, ia adreson në tërësi fajin për krizën e tanishme LDK-së. PDK, si partia më e madhe në vend, që ka Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit dhe Presidentin në detyrë, thjesht i “lanë duart” prej rrëmujës së tanishme politike kosovare, duke shkarkuar në llogarinë/konton e LDK-së të gjithë përgjegjësinë për këtë gjendje. Kjo, në fakt, mund të jetë nesër a pasnesër një porosi në fushatën parazgjedhore të PDK-së, por kjo sjellje nuk ka gjë të përbashkët me një politike të përgjegjshme, dhe me politikanët që janë burrështetas, sepse janë në krye të shtetit. Nuk mund në këtë mënyrë, apo me këtë logjikë, të mbërrihet tek zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë, të cilat, sipas të gjitha gjasave, do të mbahet në dhjetor të këtij viti. Nuk mundet me formulën dëshpëruese “nuk kemi çka të bëjmë”, të trajtohet kjo temë dhe ky problem. Por, çfarë ka mundur të bëjë udhëheqësia e tanishme e vendit? Së pari, nuk është dashtë të ndodhë zhdukja e Kryeministrit Thaçi dhe e Ministrave të PDK-së, të cilët një nga një, në kostume partiake, nga selia e kësaj partie, bëjnë komente dhe ofrojnë shpjegime për shkallën e krizës në vend. Sikur të dyfishonin punën e tyre si autoritetet më të larta të qeverisë së vendit, ata do të tregonin që janë të vetëdijshëm për përmasat e problemeve politike në vend. Së dyti, Hashim Thaçi, Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, është dashtë ta kërkojë rrugën më normale, më të pritshme në këto raste, për të nisë tëfillimin e lëmshit politik. Kjo rrugë do të nënkuptonte ofrimin e dorëheqjes së tij tek Jakup Krasniqi, Presidenti në detyrë i vendit, me një justifikim shumë racional: Nuk mund të vazhdojë të qeverisë me një ekzekutiv gjysmak. Thaçi pastaj do të merrte një tjetër mandat për ta bërë një Qeveri të shumicës në vend, e cila do të funksiononte deri me 13 shkurt, 2011, për kur tashmë ishin caktuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Dështimi eventual i tij për ta siguruar përkrahjen e shumicës së deputetëve në Kuvendin e Kosovës, do të shpinte tek zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, në datat që janë lakuar në mediat tona. Por, Hashim Thaçi i druan dorëheqjes së vet si djallit, apo, nuk dëshiron të ndërmarrë një hap të këtillë, dhe as atë tjetrin, i cili po ashtu do të çonte në zgjedhjet e dhjetorit: Që vetë si Kryeministër të kërkojë votëbesimin për qeverinë, i cili në rast të dështimit (po që se shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës do të votonin kundër kësaj qeverie), do të kishte domethënien e rënies së Qeverisë Thaçi, dhe të hapjes së perspektivës së votimit në dhjetor. Jo. Thaçi do të mbërrijë tek caku duke mos dhënë dorëheqje, duke mos kërkuar vetë votëbesimin, dhe duke krijuar rrethanat kur faji për zgjedhjet e dhjetorit do t’i mbetej LDK-së, si dhe atyre partive që mbledhin nënshkrime për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së tij. Po. Të gjithë të tjerët kanë faj dhe përgjegjësi, si për gjendjen e krijuar, ashtu edhe për faktin që zgjedhjet e reja do të mbahen në dhjetor, në fillim të dimrit, pos Hashim Thaçit, i cili objektivisht, për shkak të postit që ka, në rrethanat e tanishme, është politikani me më së shumti përgjegjësi në vend. “Nuk kam pasur çka të bëjë”, do të na thotë nesër Hashim Thaçi, nëse zgjedhjet e jashtëzakonshme, në vend se të jenë dalje nga kriza e madhe politike, me mënyrën se si do të organizohen (deri më tash askush nuk doli me garanci që këto zgjedhje do të jenë të lira dhe demokratike), do të jenë hyrje në një krizë tjetër politike. Politika e tanishme zyrtare kosovare njëmend nuk po bën gjë prej gjëje, në marrjen me temat a çështjet kryesore në vend. Qe një muaj është harruar tema e korrupsionit dhe e krimit të organizuar, ajo e telasheve të mëdha ekonomike dhe sociale, tjetra (temë) e perspektivës euro-atlantike e Kosovës. Qe një muaj a pak më shumë, Kosova ka mbetur pa disa prej shtyllave kryesore të stabilitetit të një shteti: Pa Presidentin, pa Drejtorin e Policisë, pa Guvernatorin e Bankës Qendrore. Nëse nuk ka mundur të zgjidhet Presidenti i vendit, tashmë është dashur të kryhet emërimi i Drejtorit të Policisë dhe Guvernatorit të Bankës. Kur një diplomat perëndimor u pyet këto ditë se a mund të imagjinojë se çfarë rreziku për vendin e tij do të paraqiste gjendja kur ai shtet nuk ka President, Shef të Policisë dhe Guvernator të Bankës, ai u përgjigj: Nuk mund ta imagjinoj dot. Sepse diç e tillë nuk mund dhe nuk duhet të ndodhë në një shtet demokratik. Sepse politikanët e zgjedhur për t’i prirë një shteti, nuk duhet të bëhen kërcënuesit më të mëdhenj të stabilitetit të atij shteti. Te ne, natyrisht, nuk është punë imagjinate. Ky është realitet kosovar. Prandaj, nuk duhet habitur që qytetarët kosovarë janë të rraskapitur dhe të mërzitur nga politika kosovare. (Blerim Shala është Nënkryetar i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën Express)

KOMENTE