English

Topalli-Iraki: Avokati i Popullit, institucion kyç

Tiranë, 25 Tetor, NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti sot nw njw takim Avokatin e Popullit të Marokut, Moulay Mohomed Iraki.

Topalli e falënderoi atë duke i thënë se ndihet e nderuar që Kuvendin e Shqipërisë, e viziton një personalitet i shquar i drejtësisë dhe fushës së të drejtave të njeriut të Marokut.

Me këtë rast, Iraki i përcolli Topallit urimet më të përzemërta të autoriteteve drejtuese të Marokut dhe shtoi se vizita e tij në institucionet shqiptare, vendos në një dritë të re marrëdhëniet mes dy vendeve.

Ata theksuan se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Marokut janë shumë të mira dhe se kërkohet një bashkëpunim edhe më i ngushtë në shkëmbimet ekonomike, kulturore dhe të edukimit mes dy popujve.

“Shqipëria është një ndër vendet e veçanta në spektrin e civilizimeve dhe traditave tejet të vjetra të Mesdheut, - tha kryetarja e Kuvendit, - dhe në prizmin e zhvillimeve globale, ne i shohim si shumë të rëndësishme, shkëmbimet mes vendeve tona, në të gjitha nivelet”.

Duke vlerësuar hapjen e një kapitulli të ri të bashkëpunimit mes institucioneve të Avokatit të Popullit të Shqipërisë dhe Marokut, kryetarja e Kuvendit tha se ai është një instrument i fuqishëm dhe i pavarur kushtetues për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Mohomed Iraki i shpjegoi më tej kryetares së Kuvendit iniciativën e ngritjes së shoqatës së Avokatit të Popullit të Mesdheut, si dhe veçoi rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në iniciativat e kësaj strukture, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe konsolidimit të institucioneve të fushës respektive.

n.e/NOA

KOMENTE