Pogradec, 25 tetor, NOA – Feim Jaçallari, kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim, i cili fitoi dje zgjedhjet për të kryesuar komunën e Trebinjës në rrethin e Pogradecit th në një prononcim për mediat se rezultati i zgjedhjeve dëshmon se koalicioni i integrimit PD-LSI është tërësisht funksional.
Jaçallari u shpall fitues me 701 vota kundrejt rivalit të tij të Partisë Socialiste, Behar Kastrioti që mori 630 vota.
Kryetari i ri i Komunës së Trebinjës, Jaçallari tha se fitorja e tij u realizua në një zonë bastion të Partisë Socialiste, që dëshmon më së miri "Aleanca për Integrim" ka punuar në drejtimin e duhur.
“Zgjedhjet ishin korrekte dhe të standardeve evropiane", u shpreh Jaçallari, ndërkohë që shprehu falenderimet e tij për kandidatin e PS-së, Kastrioti për mënyrën se si zhvillua gara dhe mirëkuptimin e besimin e treguar nga zgjedhësit.
Edhe pse është zgjedhur kryetar i komunës së Trebinjës për një kohë relativisht të shkurtër, Feim Jaçallari thotë se prioritet i punës së tij do të jetë zgjidhja e disa problemeve më emergjente të zonës.
Jaçallari bëri me dije se ka hartuar një program afatshkurtër dhe afatgjatë, në vëmendjen e të cilit do të jenë shkollat dhe kopshtet e komunës së Trebinjës, ku kushtet e zhvillimit të programit mësimor janë të vështira.
"Në ditën e parë që do të futem në zyrë do të jap urdhër për rregullimin e gjendjes së rëndë të disa shkollave, në mënyrë të veçantë të çative të tyre, ku shiu që bie jashtë hyn brenda. Në disa raste gjatë fushatës elektorale fëmijët na ndalonin në rrugë dhe na kërkonin rregullimin e shkollave. Do të mundohem që brenda këtij muaji të zgjidh probleme emergjente, në mënyrë të veçantë rikonstruksionin e çative të shkollave dhe kopshteve, pajisjen me xhama të të gjitha dritareve, furnizimin me dru, etj", nënvizoi kreu i ri i komunës së Trebinjës.
Ai theksoi se ka mbështetjen e duhur nga qeverisë për të realizuar programin e tij.
Një ndër prioritet e punës së kryetarit të sapozgjedhur të komunës së Trebinjës do të jetë dhe hartimi dhe miratimi i projektbuxhetit të vitit 2011.
Në këtë drejtim, Jaçallari, tha se do të bëhet një hap i madh përpara pasi do të krijohet mundësia që komuniteti i komunës së Trebinjës të marrë pjesë në këtë proces.
Zgjedhjet në komunën e Trebinjës u realizuan për shkak se disa muaj më parë kryetari i kësaj komune, Gjergji Buzo që vinte nga rradhët e Partisë Socialiste, u arrestua për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv me përfitime të mëdha parash.
mit/NOA