Këtë radhë ke vepruar si princërit e mbretërit e qëmotshëm, që martesat i bënin për hir të forcimit të mbretërisë. Sigurisht, prika nuk është as toka, as ushtri, e as aleancë, por është diçka më shumë. Pas të sotmes edhe ti je plotësuar si shqiptar. Askush nuk do të guxojë më të të përgjojë se ku fle, ku ha, kush të mbulon natën, e të tjera si këto, që nuk të kanë shqetësuar vetëm ty, por edhe me mijëra të tjerë, dyshimmëdhenj e të pagdhendur të natyrës së sertë shqiptare
Nga Edmond Arizaj
Më në fund nise të hysh në udhë të mbarë. Dhe e nise nga vetja. Sipas psikologëve ke bërë hapin më të madh. Tani të mbeten vetëm disa hapa të tjerë, pak më të shkurtër e pak më të vegjël, për t’u bërë i pranueshëm. Ti je i kënduar e i lexuar dhe duhet ta kesh ditur me kohë, se të jesh i ndryshëm nga të tjerët, nuk do të thotë se je më i mirë se ata. Do të vinte një kohë, siç u ka ardhur gjithë sivëllezërve të ndryshëm, që do të ndryshoje ti, dhe jo bota që mendojë se do ta ndryshoje vetëm. Sepse edhe në mes të kurrizove, trupdrejti duket i shëmtuar. Ti e nise me veshjen. E ndryshove dhe u përshtate. Tani askush nuk kujtohet më për kravatat e verdha, çorapet e kuqe, apo pantallonat e gjera. E kuptove që këto nuk të bënin ndryshe, në një vend që mezi ndryshon, por të bënin të çuditshëm, deri diku të papranueshëm, e për disa të pakonceptueshëm. Do të na mungojë ajo ekstravagancë, nëpër muhabete të stërgjata tavolinash, ku jo pak herë je në qendër të bisedave.
E vazhdove me martesën. Je lider i një partie të majtë, por për çudi shumë herë më konservatore se e djathta. Vetmia është një plagë në zemër për gjysmën e votuesve të partisë tënde. Mos kujto se nuk i ke lehtësuar. Megjithëse ke pritur orën tënde, se këto janë edhe punë me fat, çdo ditë e kaluar vetëm, ka qenë një ditë e hequr nga jeta e tyre, teksa dëgjonin e lexonin të bëra e të pabëra për të zgjedhurin. Sot ata me krenari mund t’i mbyllin gojën kujtdo kundërshtari dhe gojëhelmi në pallat, lagje, apo atje ku lexojnë përqendrueshëm gazetat. Po, po, nuk ke dalë vetëm ti i fituar nga martesa. Këtë radhë tregove edhe njëherë se mund të mos jesh politikan, por je gjeni skenash e ndërthurje mozaikësh. Prej kaq kohësh, media nuk kuptoi e nuk nuhati asgjë nga dashuria që kish nisur të ndizej, por u tregua e zonja vetëm pak ditë para kurorëzimit. Sigurisht ti nuk ke dorë, por megjithatë arrite të kthesh gjithë sytë e veshët e shqiptarëve drejt teje. Ceremonitë, darkat familjare, pritjet janë veç ornamente shtesë. Këtë radhë ke vepruar si princërit e mbretërit e qëmotshëm, që martesat i bënin për hir të forcimit të mbretërisë. Sigurisht, prika nuk është as toka, as ushtri, e as aleancë, por është diçka më shumë. Pas të sotmes edhe ti je plotësuar si shqiptar. Askush nuk do të guxojë më të të përgjojë se ku fle, ku ha, kush të mbulon natën, e të tjera si këto, që nuk të kanë shqetësuar vetëm ty, por edhe me mijëra të tjerë, dyshimmëdhenj e të pagdhendur të natyrës së sertë shqiptare. Po tek e fundit, duke i lënë mënjanë gjithë këta shqiptarë kokoroçë e inatçinj, nuk do të jesh vetëm, si para do ditësh tek rruga e liqenit; gjithë udhëheqja me gratë në krah, ti vetëm me dosje nën krah. E tani, edhe ti mund të bësh takime shtatë orëshe, si paraardhësi yt, e të deklarosh njësoj si ai: “jemi të martuar”. Kjo është Shqipëria, këta janë 3 milionë shqiptarët. Nuk mund t’i ndryshosh një nga e nga një. Ke bërë zgjedhje të mirë, që ndryshove vetë.
Tani të mbeten edhe pak gjëra. Për ëndrrën e madhe sigurisht. E para, të mos bësh më vetëm me kokën tënde. Sado mëndje të ndritur të ketë dikush, një herë në dy ditë ajo e bën një gabim. E këto gabime, duan shumë ditë të veniten. E dyta, dëgjo. Madje edhe ata që ti i trajton si miza. Luanin dikur e shpëtoi një mi, ndoshta për ty mund të vijë edhe koha e mizës. E treta, shiko. Jo të gjithë ç’ke e ç’mban rrotull janë engjëj. Ka dhe ujqër me lëkurë deleje, çakej me lëkurë keci, arusha me lëkurë lope, e gjarpërinj me lëkurë të bukur. E katërta, gjyko. Nuk je aty ku je vetëm për vete, vetëm për ndonjë tjetër. Je aty edhe për mijëra e mijëra të tjerë dhe pretendon të jesh diku tjetër edhe për qindra mijëra të tjerë. E pesta, logjiko. Nëse bën të njëjtën gjë, përsëri, përsëri e përsëri, dhe pret prej saj rezultate të ndryshme, kjo quhet marrëzi. E gjashta, nuhat. Mund të mos e kesh përherë mbrojtjen e pakufishme të militantëve socialistë dhe do të të duhet shumë nuhatja politike. E shtata, prano gabimet. Nuk ka njeri të pagabueshëm. Edhe ti ke gabuar. Jo pak herë, por asnjëherë nuk i ke pranuar ato. Do të bëhesh më i besueshëm. Për njerëzit e kësaj toke, vetëm një është i pagabueshëm, dhe ai nuk ndodhet mbi tokë. E teta, reflekto. Për të marrë kalanë, nuk qëllohet vetëm me topa, se muret që bien ditën, ndërtohen natën shumë shpejt. E nënta, mos u bëj paranojak. Nuk i ke të gjithë kundërshtarët armiq. E fundit, balancohu. Një politikan dhe drejtues i mirë është ai që di t’i kënaqë nga pak të gjithë. Qoftë edhe me fjalë.
Nuk janë dhjetë komandamentet. Janë dhurata për martesën. Nesër është ditë e re.
Marrë nga “Koha Jonë”
Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë qëndrimin e NOA