Irak, 25 Tetor 2010 - Zyrtarët e Irakut kanë premtuar hetimin e të gjitha rasteve, ku policia dhe ushtria irakiane mendohet se kanë bërë keqpërdorime, gjatë luftës sektare në këtë vend. Ky premtim u bë pas publikimit të afro 400 mijë dokumenteve sekrete të Shteteve të Bashkuara nga faqja Wikileaks në Internet.
Autoritetet ushtarake amerikane vazhdojnë ta kritikojnë ashpër publikimin e dokumenteve, sepse, sipas tyre, kjo mund t’i rrezikojë jetët e ushtarëve amerikanë në terren. Mund të thuhet se një luftë fjalësh po vazhdon lidhur me sjelljen e forcave ushtarake të Irakut dhe të Shteteve të Bashkuara, pas publikimit të afro 400 mijë dokumenteve sekrete të Shteteve të Bashkuara për luftën në Irak. Ministri i Brendshëm i Irakut, Jawad al-Bolani, tha se vendi i tij është i përkushtuar për t’i hetuar pretendimet e Wikileaks-it, se policia dhe ushtria e Irakut ishin përgjegjëse për keqtrajtimin e të burgosurve, për tortura dhe vrasje në periudhën 2004-2009. “Shkeljet e të drejtave të njeriut janë të papranueshme dhe kundër ligjit, sipas natyrës së sistemit të ri politik në këtë vend dhe sipas institucioneve të shtetit. Ministria e Brendshme po i ndjek rastet e shkeljeve”. “Komitetet e hetimit po vazhdojnë punën për këtë dhe askush nuk është mbi ligjin. Pavarësisht se sa i gjatë do të jetë ky hetim, ka gjykata dhe procedura juridike që do t’i sjellin para drejtësisë ata që janë të involvuar në shkelje të ligjit kundër çdo irakiani”, tha ministri al-Bolani. Themeluesi i faqes Wikileaks, Julian Assange, tha se dokumentet materializojnë më tepër se 15 mijë raste të vrasjes së civilëve, që më parë nuk janë ditur, gjatë luftës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak, dhe dhunën masive sektare, që kishte rezultuar. Ushtria e Shteteve të Bashkuara pretendon se nuk ka mbajtur regjistra të rregullt të viktimave civile në Irak. Por, në dosjet e faqes Wikileaks, që në të shumtën e rasteve ishin të shkruara nga oficerët e rangut të ulët të ushtrisë amerikane në terren, përshkruhet një numër i rasteve të sulmeve me bomba në rrugë, dhunime dhe vrasje me stilin e ekzekutimit të të burgosurve nga ana e policisë e ushtrisë irakiane dhe e luftëtarëve sektarë. Zyra e kryeministrit irakian, Nuri al-Maliki, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të lidhura me keqtrajtimin e të burgosurve dhe paraburgimin kolektiv nga ana e policisë së Irakut. Këshilltari i kryeministrit, Ali al-Musawi, e mbrojti sistemin juridik të vendit të tij dhe i hodhi poshtë pretendimet se janë bërë arrestime joligjore. “Bisedimet lidhur me njësitë e paraburgimit japin pasqyrën sikur burgosjet të jenë bërë në mënyrë ilegale. Por, kjo është gabim”. “Ne i kundërshtojmë hapur raportet e mediave, që përhapin lajme të këtilla për të dëshmuar se edhe paraburgimet individuale janë bërë ilegalisht”, tha al-Musawi.
{youtube}z1pTl8KdREk{/youtube}
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të mbrojtjes, Geoff Morell, i hodhi poshtë akuzat që për vdekjet civile të fajësohet neglizhenca e Shteteve të Bashkuara. “Sa u përket viktimave civile, ne kemi bërë çdo gjë në fuqinë tonë dhe vazhdojmë të bëjmë çdo gjë në fuqinë tonë, që t’i minimizojmë, nëse nuk mundemi t’iu shmangemi krejtësisht. Kjo është në kundërshtim me filozofinë e tërësishme të kryengritjes, që të mos e bëjë këtë”. “Ne po përpiqemi ta fitojmë besimin e popullit të Irakut, duke u përpjekur që t’i parandalojmë ata që t’i bashkohen al-Kaidës dhe grupeve të tjera terroriste në këtë vend, për të punuar me ne, për të punuar me qeverinë”, tha Geoff Morell. Zyrtarët e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara e kanë kritikuar themeluesin e faqes Wikileaks, Julian Assange, duke thënë se publikimi i dosjeve i vë në rrezik forcat amerikane dhe partnerët e tyre ushtarakë, pasi i zbulon në mënyrë të rrezikshme. Afro 50 mijë trupa amerikane mbesin në Irak, duke pritur tërheqjen e plotë deri në fund të vitit të ardhshëm. Por, analisti i Lindjes së Mesme, me seli në Shtetet e Bashkuara, Walip Phares, tha se mund të ndodhë që zotit Assange i është dhënë pëlqim i heshtur për publikimin e dokumenteve, si mënyrë për destabilizimin e mëtejmë të situatës politike në Irak. “Vëzhguesit në Uashington e kuptojnë se dora ndihmëse me gjasë ishte e involvuar në rrjedhjen e informatave të kësaj gjerësie. Ekzistonte dorë ndihmëse e madhe”, citon radio Evropa e Lirë. “Pa dyshim, do të ketë diskutime për këtë çështje dhe gazetarët, që kanë të drejtë ta hetojnë këtë çështje, do të fillojnë të kërkojnë burime”, tha analisti Phares.