Kabul, 26 tetor, NOA – Irani është një vend mik dhe nëse ka dhënë ndihma në para ndaj Afganistanit, ato kanë qenë zyrtare dhe transparente.
Kështu i ka komentuar pagesat e kryera nga qeveria iraniane ndaj asaj afgane, presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai.
Ai vetë ka pranuar se me urdhrin e tij, shefi i shtabit të tij Umar Daudsai, ka pranuar një deri dy herë në vit të holla nga Irani, përkatësisht nga 500.000 deri në 700.000 euro.
Karzai tha se bashkë me shefin e shtabit të tij, kanë paguar deputetët afganë, udhëheqësit e fiseve dhe përfaqësuesit e talebanëve për të siguruar lojalitetin e tyre.
Por Shtëpia e Bardhë ka shprehur shqetësimin rreth ndikimit negativ të Iranit në Afganistan.
Edhe Departamenti i Shtetit u shpreh dyshues ndaj motiveve të Iranit për t'i dhënë para Karzait.
"Ne do t'ia lëmë qeverisë afgane të flasë se si i ka shpenzuar paratë e ndihmës të marra nga vendet e tjera. Ne mbetemi dyshues lidhur me arsyet e Iranit duke pasur parasysh rolin destabilizues të Iranit me fqinjët e tij. Shpresojmë që Irani do të marrë përgjegjësitë e do të luajë një rol konstruktiv për të ardhmen e Afganistanit", tha Filip Kroullei, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
n.e/NOA