English

Akuzat për korrupsion, Topi: Drejtësia të punojë e pavarur nga politika

Tiranë, 26 tetor, NOA – Nisur nga akuzat e ndërsjella politike për korrupsion, kontrabandë dhe bashkëpunim me mafian, akuza që i kanë zënë vendin bashkëpunimit politik mes mazhorancës dhe opozitës, Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka bërë thirrje që drejtësia shqiptare të distancohet nga politika dhe të zbatojë në pavarësi të plotë ligjin.

Kryetari i shtetit gjatë fjalimit të mbajtur në një tryezë për drejtësinë theksoi se të duhet të besojmë tek institucionet se do të ketë drejtësi.

“Asnjëherë si sot institucionet tona të drejtësisë nuk kanë patur më shumë materiale dhe lëndë të parë për të vendosur drejtësi”, tha zoti Topi.

Presidenti evidentoi sakaq se ambienti shqiptar është tejet i ngarkuar, porse drejtësia duhet të bëjë detyrën e saj.

Andaj ai u bëri apel politikanëve që betejën e akuzave ndaj njëri tjetrit ta zhvillojnë përmes institucioneve specifike.

Gjatë tryezës së drejtësisë të mbajtur sot në Akademinë e Shkencave në Tiranë, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama tha se akuza duhet të përballet si me krimin e rrugës dhe me atë të jakave të bardha, që sipas Ina Ramës është edhe shumë i përhapur. Kryeprokurorja kërkoi një bashkëpunim edhe më të mirë mes institucioneve për të arritur qëllimin e përbashkët, që është lufta ndaj krimit.

mit/NOA
KOMENTE