English

Durrësi, një minutë heshtje për policët e vrarë

Durrës, 26 tetor, NOA - Në kuadër të ditës së punonjësve të Policisë të Rënë në detyrë, u zhvilluan aktivitete përkujtimore në nderim të ish-efektivave të Policisë Qarkut Durrës.

Në këto aktivitete morën pjesë drejtues të institucioneve vendore si edhe nxënës e mësues të shkollave të mesme të qytetit të Durrësit, familjarë të punonjësve të policisë të rënë në detyrë, veteranë policie, efektiva të drejtorisë së policisë, qytetarë, media etj.

Fjalën e rastit e mbajti drejtori i Policisë Aleks Hajdari, i cili përshëndeti dhe falënderoi për pjesëmarrjen të pranishmit, solli në kujtesën e tyre faktin që sakrifica e shërbimeve të policisë për përmbushjen e misionit të tyre shkon deri në vetësakrifikim; kujtoi punën e disa prej efektivave të policisë, të cilët kryen aktin më sublim në funksion të ruajtjes së rendit publik.

Më pas, vijuan fjalime të prefektit të Durrësit, të cilët shprehën solidaritetin dhe mbështetjen e tyre për familjet e fëmijët e mbetur jetimë nga ish-punonjësit e policisë.

Në Mauzoleumin e Dëshmorëve u kryen homazhe dhe u vendosën kurora tek pllaka e Dëshmorit të Atdheut, ish-punonjësit të policisë, Arben Lasku.

Të pranishmit mbajtën një minutë heshtje në nder të punonjësve të policisë së Durrësit, të rënë në detyrë.

Më pas, të pranishmit kryen vizita në familjet e ish-efektivave të policisë Fatos Xhani, Kastriot Aliaj, Fuat Hoxha dhe Flamur Sina.

Po kështu vizita u kryen edhe pranë familjeve të Benedik Brahja (Shijak) dhe Durim Kasmi (Krujë).

Në vitin 2010, qarku i Durrësit numëron 20 punonjës policie të rënë në krye apo për shkak të detyrës si dhe 7 punonjës të plagosur në detyrë.

n.e/NOA

KOMENTE