Tiranë, 26 Tetor, NOA/ Milena Selimi - Ka nisur sot në mëngjes seanca parlamentare mbi projektligjin "Për Artin", i cili sot shkon në fazën e diskutimit dhe shqyrtimit të tij nen për nen nga deputetët e kuvendit.
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në rendin e ditës së djeshme ka diskutuar për këtë ligj të shumëpërfolur, i cili duket se do të vazhdojë të këtë argument pro dhe kundër.
Në analizën e parë duket se ligji i ka lënë të pakënaqur anëtarët e së majtës.
Përfaqësuesit e opozitës, që nga kryetarja Valentina Leskaj, dhe anëtarët Luiza Xuvani, Alfred Dalipi, Agim Leka, etj, në diskutimet e tyre ngritën shqetësimin mbi fenomenin e centralizimit të gjithë veprimtarisë kulturore të artit skenik.
Ligji parashikon që të ngrejë Qendrën Kombëtare të Artit e cila do të kryesohet nga një kryetar i emëruar nga Këshilli i Ministrave pas propozimit të ministrit dhe i drejtuar nga një bord me 7 vetë të cilët do të përzgjidhen në bazë të propozimeve nga ministria e Kulturës dhe nga teatrot kombëtare.
Anëtarët e komisionit, Luiza Xhuvani dhe Alfred Dalipi, u treguan skeptikë për ligjin, pasi"me mënyrën se si është strukturuar nuk garanton decentralizim dhe funksionim të strukturave lokale atje ku ekzistojnë".
Seanca parlamentare po vazhdon punimet me diskutimet mbi projektligjin “Për Artin”.
m.s/n.e/NOA