English

Mediu firmos deklaratën “Nisma e Mesdheut për Ndryshimet Klimatike”

Athinë, 26 tetor, NOA – Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu mori pjesë në një takim dy ditor në Athinë, mes 20 vendeve të Mesdheut, ku nën siglën “Nisma e Mesdheut për Ndryshimet Klimatike”, ky samit erdhi si një nevojë e përbashkët mes këtyre vendeve, për të konsoliduar veprimtarinë në përballjen me ndryshimet klimatike, tepër të prekshme kohët e fundit, si dhe duke nisur kësisoj një bashkëpunim për të zhvilluar strategji dhe politika të përbashkëta për zbutjen e efekteve të ndryshimeve klimatike.

Aktiviteti ku merrnin pjesë kryeministra dhe ministra të Mjedisit të Italisë, Spanjës, Francës, Greqisë, Turqisë, Egjiptit, Izraelit etj, u fokusua në promovimin e ekonomisë së gjelbër, duke thelluar veprimtarinë në fushën e energjisë së rinovueshme, turizmit, biodiversitetit dhe riciklimit.

Në përfundim të aktiviteteve, përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrës, firmosën një deklaratë të përbashkët, duke siguruar për angazhimet e tyre në përballjen me ndryshimet e klimatike.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, ministri Mediu shprehu vullnetin dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar me të gjitha vendet e rajonit në fushën e ndryshimeve klimatike, si dhe duke e cilësuar ekonominë e gjelbër një prioritet për qeverinë shqiptare.

Gjithashtu në fjalën e tij, ministri Mediu u shpalosi të pjesëmarrësve, të gjitha iniciativat e qeverisë shqiptare në zhvillimin e ekonomisë, infrastrukturës, programet në fushën e legjislacionit, politikat fiskale dhe lehtësitë për zhvillimin e bizneseve të huaja, që tashmë e kanë kthyer Shqipërinë në një prej vendeve më të suksesshme në rajon dhe që dita ditës afrohet me standardet e vendeve të BE-së.

Në këtë kontekst, ministri Mediu, vuri theksin edhe në përpjekjet që po bëhen në fushën e ekonomisë së rinovueshme, e cila është kthyer tashmë në një objektiv të punës dhe politikave të ndërmarra nga qeveria shqiptare.

Një tjetër moment, të cilin ministrin Mediu në fjalën e tij, e cilësoi si një domosdoshmëri, ishte edhe krijimi i kapaciteteve të përbashkëta mes vendeve të rajonit të Mesdheut, për t’iu përgjigjur energjekisht fatkeqësive natyrore, si zjarre, përmbytje apo tërmete.

Në përfundim të fjalës së tij, ministri Mediu, njohu të pranishmit edhe me potencialet ekonomike, si dhe ato natyrore të Shqipërisë, si dhe ftoi investitorët e huaj, që ta shohin Shqipërinë me syrin e një vendi të sigurt për zhvilluar dhe konsoliduar më tej bizneset e tyre.

n.e/NOA

KOMENTE