Tiranë, 26 Tetor, NOA – “Akoma pa u mbushur dy vjet nga vrasja e deputetit socialist Fatmir Xhindi, u vra edhe Remzi Veseli, përfaqësues i PS në pushtetin vendor. Të dy të respektuar e të nderuar nga elektorati socialist dhe të zgjedhur disa mandate radhazi”.
Me një deklaratë të tillë, selia rozë, ka mbajtur sot qëndrim ndaj vrasjes së ndodhur natën e djeshme ndaj kryekomunarit të Tërthores në Kukës, duke e cilësuar edhe atë si një vrasje të mbuluar nga terri dhe papërgjegjshmëria e skajshme e shtetit, e qeverisë dhe e policisë.
“Në këtë shtet me qeveri të korruptuar çdo ditë dëgjojmë lajme vrasjesh dhe krimesh që tronditin thellë sigurinë e jetës së qytetarëve. Çdo ditë vrasje, çdo ditë përdhunime e rrëmbime dhe për absurdin më të madh mbi këtë dhe çdo ditë përralla e Sali Berishës për siguri e mrekulli të papara e të padëgjuara”, tha deputeti socialist Namik Dokle, lidhur me një fakt të tillë.
Duke shtuar se ndërsa ka 18 muaj që organet përgjegjëse nuk kanë bërë asgjë për zbulimin e vrasësve të deputetit Fatmir Xhindi, edhe vrasja e Remzi Veselit që në ditën e parë pas ndodhjes filloj të mbulohej me terr e mjegull, teksa vrasësit kanë ikur në drejtim të paditur dhe pushteti e policia bëjnë të paditurin.
“Jepini fund territ, zotërinj pushtetarë, kryeministër, ministra, prokurorë apo policë qofshi. Kërkojmë urgjentisht zbardhjen e vrasjes së dy përfaqësuesve të PS, Fatmir Xhindi e Remzi Veseli. E kërkojmë në emër të PS, në emër të atyre që i kane zgjedhur e mbi të gjitha në emër të shqiptarëve që mbi çdo gjë kërkojnë një model të ri qeverisje, që tu siguroj e garantojë jetën”, përfundoi deklaratën përfaqësuesi i socialistëve.
n.e/NOA