English

Për herë të parë në Tiranë, Ekspozita e Armatimeve

Tiranë, 26 tetor, NOA – “Klik Ekspo Group” për herë të parë në Tiranë prezanton Ekspozitën Ndërkombëtare për Mbrojtjen dhe Sigurinë “ALMEX 2010”, nga data 28 deri më 30 tetor, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, ku e shkuara, e sotmja dhe e ardhmja e Forcave të Armatosura vjen si një mundësi për t’u prekur nga të gjithë.

Tashmë, në qendër të kryeqytetit dhe në hyrje të këtij ekspozimi tashmë kanë zbarkuar mjetet e rënda elitë, deri para pak kohësh të ushtrisë shqiptare.

Avionët, tanket, topat, silurët detarë etj të sjella nga Ministria e Mbrojtjes dhe “Klik Ekspo Group”, shfaqen në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Ky është një hap i parë i shndërrimit të destinacionit dhe i qëllimit të përdorimit të tyre, si një pjesë e procesit të reformimit dhe transformimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Tashmë, ky armatim, deri dje i veshur me misterin e propagandës zyrtare dhe i ruajtur me fanatizëm nga syri i çdokujt, i ofrohet të gjithë shtresave të shoqërisë për tu njohur drejtëpërdrejt.

Ato tani i përkasin historisë dhe do të ofrohen si relike të së shkuarës vetëm në ambiente muzeale.

Këtë rrugëtim, nga e shkuara drejt së ardhmes, “Klik Ekspo Group” me përvojën e tij shumëvjeçare ia ofron gradualisht çdo shikimi, në mënyrë që vizitorët të kenë mundësi të shohin në ambientet e këtij ekspozimi sesi janë dhe vazhdojnë të zëvendësohen me modelet më të reja.

“ALMEX 2010” - Panairi i Parë për Sigurinë dhe Mbrojtjen, është ideuar si një ngjarje kult që promovon një forcë të re, Forcat e Armatosura të Shqipërisë, e cila aderon barazisht me aleatët e tjerë në NATO.

Me anëtarësimin në Aleancë dhe përgatitjen për të kaluar pragun e BE, intensifikohen prirjet e Shqipërisë për t’u përfshirë me zë të plotë në çështjet e Mbrojtjes dhe Sigurisë ndërkombëtare.

Një proces i gjatë përditësimi ka përfshirë strukturat e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, ndërkohë që me partnerët e investitorët e huaj, bashkëveprimi ka marrë tashmë udhë. Ky do të jetë ALMEX, një objektiv i përqendruar mbi aktualitet dhe një radar që do të përpiqet të perceptojë të ardhmen e sektorit.

n.e/NOA

KOMENTE