Tiranë, 26 Tetor, NOA – Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo mblodhi Komisionin Qendror të Regjistrimit të Përgjithshëm të Njësive Ekonomike Jobujqësore, duke caktuar datën 8 nëntor, ku bëjnë pjesë edhe ministrat Meta, Basha dhe Bode.
Komisioni ka në përbërje të tij gjithashtu drejtorin e Përgjithshëm të Institutit të Statistikave dhe zyrtarë të tjerë të INSAT, drejtorin e Përgjithshëm të QKR, drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, dekanin e Fakultetit Ekonomik të UT-së dhe Drejtorin e DEBASKON, në Kryeministri.
Komisioni vendosi ndër të tjera që regjistrimi i Njësive Ekonomike Jobujqësore të nisë më 8 Nëntor 2010 dhe do të zgjasë 1 muaj.Ky regjistrim do të kryhet në të gjitha njësitë ekonomike aktive që përmban Regjistri i Ndërmarrjeve, të cilat ushtrojnë aktivitet në gjithë territorin e Shqipërisë dhe që kanë marrë kod identifikimi, NUIS nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe QKR. Në këtë regjistrim përfshihen edhe subjektet e administratës publike, OJF-të dhe organizatat ndërkombëtare.
Pas publikimit të të dhënave paraprake në qershor 2011, afati i publikimit i të dhënave përfundimtare do të jetë në dhjetor 2011.
Projekti për Regjistrimin e Përgjithshëm të Njësive Ekonomike Jobujqësore financohet nga buxheti, BE e donatorë të tjerë.
n.e/NOA