Uashington, 26 tetor, NOA - Ky vit në nivel global ka qenë tejet profitabël për rrëmbyesit, shkruan gazeta britanike “Independent”.
Për dallim nga vitet e kaluara kur rrëmbimet kryesisht kishin prapavijë politike, ato sot kryhen vetëm për përfitime të natyrës komerciale.
Në këtë lojë funksionojnë edhe grupet e shpëtimit, të cilat sa më shumë janë të pranishme në këtë të ashtuquajtur “industri” fitimprurëse. Agjenci sigurimesh që japin licenca për sigurim në rast rrëmbimi, negociatorët e shtrenjtë si dhe trup-rojet apo grupet e sigurimeve private, janë pjesë e gjithë këtij rreziku që po alarmon botën.“Indipendent” shkruan se në këtë biznes të gjithë përfitojnë, duke nisur nga viktima e deri tek ata që llogarisin dhe sigurojnë klientin e tyre, ndërsa qarkullimi vjetor shkon së paku një miliardë euro.
Vetëm për sigurimet ndaj rrëmbimeve harxhohen në vit 250 milion euro. Rrëmbimet nga viti 2004 dominonin me 65 për qind në Amerikën Latine, ndërsa sot ka ndryshuar karta e këtyre aventurave të rrezikshme. Ky biznes përfitues është përhapur në Filipine, ishujt e Guineas, Kongo, Haiti, Somali, Sudan, Nigeri, Afganistan, Pakistan, Irak, Nepal dhe Jemen, etj.
Rreth 1 milion euro e më tepër shkon shifra e përfitimit për lirimin e ndonjë marinari apo udhëtari të një anije evropiane, amerikane apo vendeve tjera. Përfitimi më i madh është kur rrëmbyesit apo kryesisht piratët e anijeve, mësojnë se shumat e parave do të paguheshin nga Qeveria.
Gazeta spanjolle “El Mundo” shkruan se qeveria e tyre për rrëmbimin e dy aktivistëve humanitar ka paguar më shumë se 5 milion funta.
Franca, Italia dhe Gjermania kanë paguar prej 2.5 milion e deri në 10 milion dollarë për lirimin e shtetasve të tyre të rrëmbyer, varësisht sipas çmimit të individëve apo të ndonjë ushtari apo personeli zyrtar.
Piratët somalez sot i paraprijnë këtij krimi global, duke pasur në shënjestër çdo ditë anijet e huaja për ujërat e oqeaneve. Ata tanimë nga përfitimet e mëdha po rekrutojnë çdo ditë grupe të reja piratësh, që paraqesin kërcënim të ri global.
“Independent”