Shkodër, 26 tetor, NOA – Kishte marrë një lokal me qera dhe kishte punësuar edhe një kameriere, të cilën e shfrytëzonte për prostitucion në një hotel duke i siguruar klientë, nga ata që vinin gjoja për të pirë në lokalin e pronares...
Një histori e njohur e shfrytëzimit të prostitucionit kjo e hasur shpesh në vendin tonë.
Përmes operacionit të koduar “Hotel Kalifornia”, policia e Shkodrës ka zbuluar një lokal që shfrytëzohej për përfitime nga prostitucioni duke prangosur në flagrancë tre persona të seksit femër.
Pas gjurmimit nga ana e shërbimeve të specializuara të policisë mbrëmë në orën 17.15 policia e Shkodrës arrestoi 49 vjeçaren Edmonda G. lindur e banuese në lagjen “10 Korriku” të qytetit të Shkodrës e akuzuar për shfrytëzim të prostitucionit; 19 vjeçaren Besiana Gj. lindur në Krujë dhe banuese në lagjen “Skënderbeg” të qytetit të Shkodrës e akuzuar për ushtrim prostitucioni si dhe 33 vjeçaren Virgjina C. lindur e banuese në lagjen “Salo Halili”, e akuzuar për mbajtjen e lokalit për ushtrim prostitucioni.
Pas hetimeve të kryera rezultuoi se shtetësja Edmonda G. kishte marrë një lokal me qera në afërsi të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, në Shkodër dhe siguronte klientë për 19 vjeçaren Besiana Gj., e punësuar si kamariere, e cila më pas kundrejt një pagese ushtronte prostitucion tek një hotel, në lagjen “Liria” të qytetit Shkodër, në pronësi të shtetases Virgjina C.
Pas hetimve, materialet e mbledhura për çështjen në fjalë iu kaluan për ndjekje të mëtejshme prokurorisë së Shkodrës.
mit/NOA