English

Standardizimi i Forcave të Armatosura, miratohet projektligji

Tiranë, 26 tetor, NOA - Komisioni parlamentar për Sigurinë Kombëtare miratoi sot pa asnjë rezervë e projektligjin e ministrisë së Mbrojtjes “Për standardizimin ushtarak në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, që u paraqit nga ministri Arben Imami.

Ky standardizim është një detyrim që vjen pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe parashikon plotësimin e rreth 300 standardeve deri në vitin 2015.

Ministri Imami, nënvizoi para anëtarëve të komisionit se në kuadrin e “përmbushjes së detyrimeve kryesore të Forcave të Armatosura Shqiptare si vend anëtar i NATO-s, lind domosdoshmëria e ngritjes së një sistemi funksional standardizimi në Forcat e Armatosura, për pranimin e STANAG/AP (marrëveshjet e standardizimit apo publikimet e aleancës) të NATO-s dhe standardeve civile (standard i BE-së) për përdorim nga njësitë e Forcave të Armatosura, në fushën operacionale, materiale dhe administrative. Ngritja e këtij sistemi në Forcat e Armatosura është një nga objektivat kryesore pas anëtarësimit, e shprehur qartë në dokumentin e ‘Afateve të Implementimit të Reformave’ me NATO-n dhe në Planin e Integrimit me dy Komandat Ushtarake Strategjike të NATO-s”.

Mw tej, ai sqaroi se ngritja e sistemit funksional të standardizimit në Forcat e Armatosura synon përcaktimin e politikave të zhvillimit, përcaktimin e autoriteteve dhe strukturave përgjegjëse, si dhe vendosjen e rregullave, procedurave të pranimit, zbatimit dhe rishikimit të STANAG-ve dhe AP-ve, bazuar në sistemin kombëtar të standardizimit, në sistemin e standardizimit të NATO-s dhe në eksperiencën e vendeve anëtare të saj.

n.e/NOA

KOMENTE