English

Topalli takohet me parlamentarë të vendeve të EFTA

Tiranë, 26 tetor, NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka pritur sot një delegacion të deputetëve të Komisionit parlamentar të Grupit të Vendeve të Tregut të Lirë Evropian (EFTA) ku përfshihen Islanda, Lihtenshtein, Norvegjia dhe Zvicra.

Me këto vende, Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë, ku nëpërmjet shkëmbimit të eksporteve dhe importeve, pritet të ketë impakte pozitive në ekonominë e vendit.

Në krye të fjalës së saj, zonja Topalli e cilësoi vizitën e deputetëve të komisionit parlamentar të EFTA-s si një vizitë të rëndësishme jo vetëm për zhvillimet ekonomike, por edhe për rritjen e bashkëpunimit ndërparlamentar mes Shqipërisë dhe katër vendeve anëtare të EFTA-s.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se Shqipëria pas anëtarësimit në NATO dhe heqjes së vizave me BE-në, është një vend gjithnjë e më tërheqës për investitorët e huaj, pasi ofron siguri, legjislacion dhe klimë të favorshme biznesi.

Duke iu përgjigjur interesimit të deputetëve të vendeve të EFTA-s për Shqipërinë, kryeparlamentarja Topalli bëri një pasqyrë të situatës makroekonomike dhe arritjeve në reformat e integrimit evropian.

“Shqipëria dikur një vend i izoluar totalisht nga diktatura komuniste, sot është transformuar, ka një rritje ekonomike pozitive, shtim të eksporteve prej mëse 60 %, investime të mëdha në infrastrukturë dhe arritje të konsiderueshme në luftën kundër ekonomisë informale”, tha Kryetarja e Kuvendit, e cila theksoi ndër të tjera dixhitalizimin e sistemit të rregjistrimit të bizneseve, sistemin fiskal dhe uljen e taksave si dhe standartet evropiane të arsimimit dhe edukimit të të rinjve shqiptarë.

Kryetarja e Kuvendit shpjegoi për deputetët, axhendën e Parlamentit shqiptar këto muaj, miratimin e ligjeve dhe reformave esenciale për ekonominë e vendit dhe integrimin evropian dhe nënvizoi se Parlamenti shqiptar ka intensifikuar marrëdhëniet në të gjitha nivelet politike dhe administrative me Parlamentin evropian.

Kryetari i Komitetit të EFTA-s deputeti islandez, Arni Thor Sigurdsson vlerësoi përparimet e Shqipërisë në këto vite.

Në takim, u diskutua për mundësitë konkrete të bashkëpunimit me vendet e EFTA-s në investime, në fushat e turizmit dhe energjitikës në Shqipëri.

mit/NOA
KOMENTE