English

Vrasja e Remzi Veselit, Topi: Drejtësia të zbulojë autorin

Tiranë, 26 tetor, NOA – Presidenti i Republikës, Bamir Topi i dërgoi sot një telegram ngushëllimi familjarëve të Kryetarit të Komunës Tërthore të Kukësit, Remzi Veseli, i vrarë mbrëmjen e kaluar pranë banesës së tij.

Në mesazhin e tij, kryetari i shtetit shprehet se “Me hidhërim të thellë mësova për ndarjen e papritur e të parakohshme nga jeta të njeriut tuaj të dashur, njëkohësisht edhe Kryetar i Komunës së Tërthores, Remzi Veseli, një tragjedi, që ka tronditur jo vetëm familjen tuaj, por mbarë opinionin publik në vendin tonë”.

Presidenti duke e shënjuar këtë ngjarje të rëndë si një akt kriminal të pashembullt, i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të zbulojnë e të vënë përballë drejtësisë autorin e vrasjes së kryekomunarit të Tërthores në Kukës.

“Në këto momente të vështira, më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe të ndaj me ju dhimbjen për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm”, e mbyll mesazhin e tiju, kreu i shtetit.

Vrasja e mbrëmshme e kryetarit të Komunës Tërthore në Kukës, Remzi Veseli, i zgjedhur i Partisë Socialiste vjen dy vjet pas vrasjes së deputetit socialist, Fatmir Xhindi, një ngjarje ende e pazbardhur nga drejtësia.

Andaj selia rozë i bëri thirrje sot drejtësisë shqiptare të zbardhë urgjentisht vrasjet e Fatmir Xhindit dhe Remzi Veselit.

Në mesditë drejt Kukësit është nisur edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi rama bashkë me sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë së PS-së, Gramoz Ruçi dhe deputetin, Namik Dokle.

mit/NOA
KOMENTE