English

Barroso kërkoi nga Gruevski zgjidhjen e kontestit të emrit

Shkup, 27 tetor, NOA - Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso, kërkoi nga kryeministri Nikolla Gruevski që arrihet një zgjidhje rreth problemit të emrit.

Barroso pas takimit me Gruevskin në Bruksel në një konferencë të përbashkët me gazetarët nënvizoi se pret që edhe këtë vit Maqedonia të marrë raport pozitiv nga KE, por edhe të arrihet zgjidhja për çështjen e emrit.

“Vitin e kaluar kemi dhënë rekomandimin për fillimin e negociatave për anëtarësim dhe për liberalizimin e vizave. Ajo ishte një mirënjohje e qartë për reformat e realizuara dhe inkurajim për zgjidhjen e kontestit të emrit. Ka ardhur koha që vendi të mos e lëshojë këtë shans historik. Çështjet e identitetit gjithsesi se janë të rëndësishme, por më e rëndësishme është që e kaluara të mos e mbajë peng të ardhmen”, deklaroi Barroso.

Ai i bëri thirrje të dyja palëve të përfshira në kontest, të tejkalojnë këtë pengesë sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Shpresoj se kjo do të ndodhë dhe çështja e emrit të zgjidhet. Kjo është e rëndësishme për vendin tuaj, për rajonin dhe të gjithë ne në Evropë”, deklaroi presidenti i BE-së.

Barroso e vlerësoi takimin si tejet të rëndësishëm para shpalljes së raportit për Maqedoninë, që pritet të bëhet më 9 nëntor.

Presidenti i KE-së apeloi gjithashtu që të mos keqpërdoret liberalizimi i vizave.

Ai ka dhënë vlerësime pozitive për zhvillimet e përgjithshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Në rajon ka përparime të rëndësishme. Kroacia po afrohet drejt anëtarësimit në BE, përparime janë shënuar në raportet midis Kosovës dhe Serbisë për dialogun, si dhe dëshirojmë të shohim përparime edhe në raport me kontestin e emrit midis vendit tuaj dhe Greqisë. Mund të llogarisni tek KE dhe shpresoj që të jemi dëshmitarë të vendimeve tejet të rëndësishme në të ardhmen e afërt”, deklaroi presidenti i KE-së, Hoze Manuel Barroso.

NOA-INA

KOMENTE