English

Basha: Adresari elektronik evropianizon Shqipërisë

Tiranë, 27 tetor, NOA – Me nisjen e fushatës së OSBE-së për të nxitur qytetarët shqiptarë që të përdorin adresarin e ri, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha tha se projekti i elektronizimit, dixhitalizimit të plotë të sistemit të adresave në Shqipëri është proces vendimtar për modernizimin dhe europianizimin e plotë të shtetit shqiptar.

“Pas mbylljes me sukses të kapitullit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile dhe shkëputjes nga një trashëgimi dhjetravjeçare që karakterizohej me praktikat postotomane të zbatuara deri para një viti në këtë fushë, pas pajisjes së qytetarëve shqiptarë me karta identiteti dhe pasaporta biometrike të cilësisë superiore krahasuar edhe me sistemet simotra europiane, sot kemi arsye të kremtojmë avitjen e fazës përfundimtare të një procesi po kaq vendimtar për Shqipërinë moderne, për Shqipërinë evropiane”, tha ministri i Brendshëm në një seminar të përbashkët me OSBE-në.

Sipas Bashës regjistri i ri sjell stadin më të avancuar teknologjik me të cilin pajiset administrata publike dhe drejtuesit e tij.

Duke falënderuar Bashkimin Europian dhe OSBE-në për financimin dhe ekspertizën për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm ministri i Brendshëm theksoi se suksesi i kësaj ndërmarrjeje të përbashkët është mbi të gjitha një konfirmim i vizionit të qeverisë së Kryeministrit Berisha për bashkëpunim real me të zgjedhurit vendorë.

“Faza në të cilën ndodhemi, vërteton se ndodhemi në një proces të pakthyeshëm, në një tendencë të pakthyeshme përsa i përket proceseve modernizuese dhe aplikimit të praktikave më moderne europiane në këtë fushë, praktika të tilla që përdoren sot në vende të avancuara dhe të pasura të BE siç janë Finlanda, Hollanda, Austria, Estonia”, nënvizoi Basha.

Duke theksuar rëndësinë e përdorimit të adresarit të ri Basha tha se rezultat i këtij Regjistri Kombëtar të Adresave, është ky që me një klikim në internet çdo qytetar shqiptar shikon vendndodhjen e saktë të objektit, adresën e saktë të objektit dhe çdo qytetar shqiptar, i cili nëse kështu dëshiron mundet që këtej e tutje t’i referohet objektit në adresën e saktë të tij.

“Presim me padurim përfundimin e këtij projekti, popullimin e plotë të të dhënave, presim me padurim efektet kaskadë që sjell ky process veçanërisht në funksion, ndihmë dhe për llogari të pushtetit vendor për ushtrimin e përgjegjshëm të përgjegjësive të tyre në fusha të tilla si urbanistika, mbledhja e taksës vendore, mbrojtja e mjedisit, sigurimi i kushteve të pranueshme në komunikacion, në transportin urban, kontrolli uniform dhe cilësor i territorit dhe ofrimi i lehtësirave të tjera institucionale të pushtetit vendor në çdo fushë, nga nxitja e biznesit deri tek përmbushja e rolit të pushtetit vendor për zbutjen e problemeve shoqërore”, tha ministri Basha.

Ai siguroi se Policia e Shtetit do të garantojë si mbrojtjen rigoroze të të drejtave themelore kushtetuese të qytetarit dhe sigurinë e rendit publik, duke bërë një luftë edhe më efikase kundër krimit, në garantimin e mëtejshëm të sigurisë, që ishte një faktor kyç, sipas Bashës, që bëri të mundur marrjen e vendimit për heqjen e vizave në 8 Nëntor.

mit/NOA

KOMENTE