English

Berisha: Projektet e rajoneve, kanë përfunduar 51 të tilla

Tiranë, 27 tetor, NOA - Nën drejtimin e kryeministrit Berisha, është zhvilluar sot mbledhja e Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve, ku u përcaktuan projektet që do të mbështeten me fondet e mbetura për rajonet.

Kryeministri theksoi, se me fondet disponibël, do të shlyhen të gjitha detyrimet e projekteve që kanë përfunduar 100 %, numri i të cilave shkon në 51 projekte.

Ndërkohë që është menduar të shlyhen 100% edhe të gjitha projektet, që kanë përfunduar në masën 90% të punimeve.

Më tej, kryeministri u ndal dhe në projektet e reja, për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës së fshatit Kuç, komuna Guri i Zi, sistemimi dhe asfaltimin e rrugës së fshatit Vukatanë, komuna Guri i Zi si dhe një rruge në Komunën e Farkës, që lidh një zonë të Farkës me rrugën kombëtare.

“Janë për t’u miratuar sot dhe fondet të cilat lëvrohen nga PNUD, gjithsej 2.2 milion euro, i vënë në dispozicion nga projekti i PNUD “Mbështetje e Integruar për Decentralizimin”, i cili akordohet për financimin e projekteve në katër qarqe Kukës, Dibër, Elbasan dhe Berat. Këto janë për vitin 2011, por duhet të miratohen sot në këtë mbledhje”, tha ai.

Nga shuma totale me këto ndërhyrje, ka theksuar më tej kryeministri kanë mbetur mangët 40 milion lekë, të cilat do të gjenden ose nga fondi rezerve i Këshillit të Ministrave ose do të merren nga ministritë e linjës për t’i kaluar Fondit të Zhvillimit të Rajoneve.

“Në tërësi kjo praktikë, ka qenë e dobishme, ka përjashtuar çdo lloj forme diskriminimi, ka pasur reagime fillestare që kanë menduar se u diskriminuan por pastaj u është faktuar se e kanë pasur tërësisht gabim, sepse nuk është diskriminuar askush, se janë disbursuar paratë mbi bazën e përqindjes së punimeve që kanë bërë”, - ka përfunduar kryeministri.

n.e/NOA

KOMENTE