Florida, 27 tetor, NOA - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj ka marrë pjesë si anëtar në Konferencën e 117-të të Shoqatës Ndërkombëtare të Shefave të Policisë (IACP), që u zhvillua në Orlando, të Floridas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 23-27 tetor.
Gjatë punimeve të konferencës u mbajt edhe Asambleja e Përgjithshme e kësaj organizate, ku përshëndetën zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Joe Biden, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-ve, Eric Holder, Drejtori i FBI-së, Robert S. Mueller III.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme gjatë ditëve të pjesëmarrjes në këtë konferencë, si dhe u takua me prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-ve, Eric Holder. Në këtë takim Holder, vlerësoi në mënyrë të veçantë partneritetin e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar e terrorizmit.
Në këtë takim, Burgaj falënderoi qeverinë amerikane për mbështetjen që i ka dhënë Policisë së Shtetit përmes programit ICITAP, dhe e garantoi prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-ve, se Policia e Shtetit do të vazhdojë të jetë një partnere e besueshme në luftën kundër krimit e terrorizmit.
Gjithashtu kryepolici shqiptar, Burgaj e njohu kryeprokurorin e SHBA-ve me progresin e bërë në zhvillimin e përgjithshëm të organizatës policore shqiptare, si dhe arritjet e Policisë Shqiptare si në drejtim të intensifikimit të luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave, ashtu dhe në drejtim të rritjes së standardeve profesionale, krijimit të një mjedisi më të sigurt për komunitetin dhe përmirësimit të cilësisë së shërbimeve për qytetarët.
Burgaj evidentoi dhe progresin cilësor të bërë në drejtim të forcimit të masave të kontrollit për mbikëqyrjen e kufirit e kontrollin e migracionit sipas standardeve të BE-së dhe rritjen e cilësisë së arsimimit policor e trajnimit të personelit.
Gjatë vizitës në SHBA, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit zhvilloi një takim dhe me presidentin aktual të Shoqatës Ndërkombëtare të Shefave të Policisë, Mike Carroll, si dhe presidentin e ardhshëm të kësaj organizate, Mark A. Marshall, të cilët vlerësuan përfaqësimin e Shqipërisë në këtë konferencë dhe procesin transformues që ka pësuar Policia Shqiptare gjatë viteve të fundit.
Burgaj është pritur edhe në një takim të veçantë nga Drejtori i ICITAP-it, R.Carr Trevillian IV, i cili duke shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin e deritanishëm, vuri në dukje dhe angazhimin e tij dhe të institucionit, që përfaqëson për të mbështetur më tej Policinë e Shtetit.
mit/NOA