Romë, 27 tetor, NOA – Gjatë 20 viteve të fundit, numri i emigrantëve legalë në Itali është rritur me 20 herë. Teksa ishin vetëm gjysmë milion të tillë në 1990, tani ata numërohen të jenë rreth 5 milion, duke zënë 7 përqind të popullatës në Itali.
Kështu bën me dije raporti më i fundit i organizatës humanitare italiane, Caritas, duke pohuar se komuniteti më i madh i emigrantëve është konfirmuar se vjen Rumania (21%), i ndjekur nga shqiptarët (11%) dhe marokenët (10.2%).
Mësohet se në Lombardi jetojnë 23.2% e emigrantëve (982 225 persona), duke vijuar më pas me rajonin e Lazios ku jetojnë 11.8% e tyre ose e përkthyer në shifra 497.940 persona, duke përfunduar me rajonin e Venetos me 11.3% me 480 616 persona dhe rajonin e Emilias Romagna me 10.9% ose 461.321 persona.
Një tjetër gjetje e rëndësishme e raportit është edhe fakti se 572.720 emigrantë, ose 13% e tyre, janë të brezit të dytë.
“Me rritjen e numrit të tyre dhe krizës, reagimet negative dhe rreziku ndaj emigrantëve për çdo ditë po rritet”, bën të ditur organizata humanitare Caritas, por duke shtuar se prania e tyre kontribuon në ekonominë italiane.
Sipas të dhënave të kësaj organizate, të huajt në arkën shtetërore italiane paguajnë rreth 11 miliardë euro për çdo vit, nëpërmjet kontributeve sociale dhe tatimeve.
n.e/NOA