Ferrara, 27 tetor, NOA – Dy afrikanë, u arrestuan nga policia italiane dhe u dënuan me urdhër të paraburgimit pas një plaçkitje të ndodhur në Bolonja.
Siç bëjnë me dijeni mediat italiane, atyre u janë vënë prangat pasi kanë kryer një grabitje ndaj një shqiptari, i cili i ka denoncuar që të dy.
Fjala është për nigerianin Ever Rufus, 23-vjeç, me banim në Ravena, në pritje të legalizimit në Itali dhe Richard David, 27-vjeç nga Senegali, me banim në Ferrara. Hetimet kanë të bëjnë me një grabitje të kryer prej tyre në fund të muajit korrik në Budrio ndaj një shqiptari.
Mësohet se ky i fundit ishte sulmuar, rrahur dhe më pas i kishin grabitur portofolin, si edhe një zinxhir floriri nga dy afrikanë që ishin në dalje të një supermarketi, duke lypur.
n.e/NOA