Tiranë, 27 tetor, NOA - Ministria e Financave sqaroi sot opinionin publik lidhur me motivacionin e largimit nga detyra të Hekuran Vladit, i cili ka ushtruar detyrën e kryeadministratorit të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara.
“Ministria e Financave sqaron se në kuadër të angazhimeve që ka qeveria shqiptare në luftën ndaj krimit te organizuar, angazhim i cili kërkon një funksionim sa më të mirë të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara si dhe nisur edhe nga raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit ku vihet në dukje nevoja për një funksionim më të mirë se ai i deritanishëm i kësaj agjencie, u gjykua e nevojshme largimi nga detyra i Vladit dhe emërimi në këtë funksion i një tjetër drejtuesi”, thuhet në deklaratën e MF.
Duke shtuar se “të gjitha sajesat për lidhje të hamendësuara, se gjoja largimi i Vladit nga kjo detyrë është bërë për shkak të daljes së tij në intervistë televizive, janë të pavërteta”. “Ministria e Financave sqaron se urdhri për lirimin nga detyra i Hekuran Vladit, është bërë me një shkresë nr 12910/1 të datës 22 tetor 2010, ndërkohë që intervista e Vladi është e dy ditëve më vonë”, sqarojnë drejtuesit e MF-së.
Në fund, deklarohet se ish-kryeadministratori është njoftuar edhe gojarisht për lëvizjen e tij nga detyra dhe kalimi në një funksion tjetër dy javë më parë.
“Ministria e Financave siguron opinionin publik se qëllimi kryesor i punës së saj mbetet performanca sa më e mirë e institucioneve në varësi në kuadër të angazhimeve që ka marrë qeveria shqiptare në proceset integruese të vendit”, përfundon deklarata.
n.e/NOA