English

Gjirokastër, ikën fshehurazi nga spitali dhe mbytet në liqenin e Viroit

Gjirokastër, 27 tetor, NOA – Pasi e la bashkëshorten të priste doktorin në spital, vetë zbriti për të blerë një paketë cigaresh dhe kur u ngjit rishtas në pavionin ku kishte lënë bashkëshorten, nuk e gjeti më aty....

Këtu nisi edhe çështja që lidhet me humbjen e 42 vjeçares Nexhime Kapaj, e cila sipas dëshmive të bashkëshortit dhe familjarëve vuante nga depresioni psikik.

Menjëherë pas konstatimit të mosgjetjes së gruas së tij në spital, bashkëshorti i saj ka telefonuar në policinë e Gjirokastrës duke i informuar shërbimet policore se i kishte ikur gruaja, e cila vuante nga depresioni nervor.

Burime të policisë bëjnë të ditur se pas telefonatës së bashkëshortit kanë nisur menjëherë kërkimet e 42 vjeçares, kërkime të cilave u ka ardhur në ndihmë një tjetër telefonatë në postën e policisë, rreth mesditës së sotme, ku u lajmërua së ishte gjetur një trup në ujërat e liqenit Viroi në Gjirokastër.

Shërbimet e policisë janë nisur menjëherë përdrejt liqenit të Viroit dhe eksperti mjekoligjor pas nxjerrjes së trupit të pajetë nga liqeni ka deklaruar në bazë të ekspertizës se trupi i gruas së pajetë rezultoi të ishte Nexhmije Kapaj.

Në bazë të dëshmive të disa qytetarëve kjo shtetase kishte hipur në autobusin e linjës Gjirokastër –Virua, ku ka zbritur në hyrje të Viroit dhe më pas është hedhur në liqen duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Gjithashtu mësohet se në momentin e hedhjes në liqen, 42 vjeçaren nuk e kishte pikasur njeri.

Pas ekspertizës mjeko-ligjore rezultoi se në trupin e kësaj shtetaseje nuk është gjetur asnjë shenjë dhune apo plagë tjetër.

Nga dëshmia e bashkëshortit u mësua se 42 vjeçarja vuante prej kohësh nga depresioni nervor dhe se ky ishte shkaku që kishin ardhur në Gjirokastër për ta nxjerrë në kemp.

Pas përfundimit të hetimeve ligjore rezultoi se 42 vjeçarja nga Gjirokastra dhe banuese në qytetin e Vlorës ishte vetëmbytur në ujërat e liqenit të Viroit si pasojë e depresionit psikik, ndërsa materialet për ndjekjen e mëtejshme i kaluan prokurorisë së Gjirokastrës.

mit/NOA
KOMENTE