English

Koncert me muzikë dhome nga “Dejean-Quartett”

Tiranë, 27 tetor, NOA/ Milena Selimi - Vazhdojnë aktivitetet në kuadër të sezonit koncertor ndërkombëtar Klasik, sivjet në edicionin e 11-të.

Kuarteti "Dejean" është një nga ansamblet e para të muzikës së dhomës në Gjermani i cili përbëhet nga një treshe harqesh dhe flaut. Ullrich Pühn (flaut), Helmut Simon (violinë), Joachim Schwarz (violë) dhe Cornelius Schmaderer (violonçel) janë pjesëtarë të orkestrës shtetërore të Kaselit dhe krahas punës së tyre në orkestër ata i përkushtohen veçanërisht edhe përpunimit dhe prezantimit të muzikës së dhomës. Që nga themelimi i saj në vitin 2007, kuarteti "Dejean" ka dhënë koncerte të shumta në Gjermani. Muzikantët kanë kryer turne koncertore ndër të tjera në: Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar, Jemen dhe Serbi.

Falë kërkimeve të sakta letrare, kuarteti "Dejean" mund të ofrojë një repertor të gjerë me kompozime të ndryshme nga të gjitha epokat. Për koncertet në Shqipëri, kuarteti "Dejean" ka përgatitur një program interesant dhe të larmishëm. Përveç dy kuarteteve nga W. A. Mozart, do të luhen një kompozim i suedezit Bernhard Henrik Crusell një bashkëkohës i Beet'hovenit.

Gjithashtu do të sillen variacionet e amerikanit kryesisht të panjohur Swan Hennessy, të cilat u krijuan rreth vitit 1900 në Paris. Kompozimi më modern është një nocturne e çekut Jindrich Feld (e ompozuar në vitin 2002), një nekrologji muzikore për flautistin e madh Jean-Pierre Rampal.

Përveç dy koncerteve në Tiranë dhe Vlorë kuarteti "Dejean" do të zhvillojë edhe një seminar me studentë të interesuar të degës së muzikës.

Koncerti do të jepet ditën e enjte, 28 tetor 2010, ora 19.00, salla e madhe e Akademisë së Arteve në Tiranë dhe të premten, 29 tetor 2010, ora 18.00, Qendra Kulturore "Labëria" në Vlorë.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE