English

Meta: Shqipëria, potenciale të mëdha për investime

Tiranë, 27 tetor, NOA - Zv/kryeministri Ilir Meta priti sot Sekretarin e Shtetit për Ekonominë të Hungarisë Zsolt Becsey, i cili shoqërohej edhe nga ambasadori hungarez në Tiranë, Sandor Molnari.

Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira në të gjitha fushat mes dy vendeve tona dhe theksoi nevojën për të intensifikuar akoma më shumë shkëmbimet tregtare dhe bashkëpunimin ekonomik, si dhe zhvillimin e projekteve energjetike dhe infrastrukturore me impakt rajonal.

Gjithashtu Meta bëri një ekspoze të shkurtër të situatës ekonomike në Shqipëri, kryesisht duke u ndalur në dinamikën e zhvillimeve ekonomike ne vend dhe përmirësimin e ndjeshëm të klimës së biznesit falë reformave strukturore të ndërmarrë nga qeveria shqiptare.

Meta vuri theksin ne potencialet e shumta që ekonomia shqiptare ofron për investitorët e huaj, sidomos në sektorët strategjik siç janë energjetika dhe turizmi.

Në këtë kontekst, të dy bashkëbiseduesit ranë dakord për zhvillimin në një kohë të afërt të Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tregtar si dhe mbajtjen e një Forumi Investimesh me pjesëmarrjen e biznesmenëve shqiptar dhe hungarez.

Nga ana e tij, Becsey duke falënderuar zv/kryeministrin dhe ministrin e Ekonomisë Ilir Meta për ekspozenë në lidhje me klimën e biznesit dhe potencialet që Shqipëria ofron për investitorët e huaj, shprehu interesin ne rritje të kompanive hungareze për të investuar në vendin tonë.

Gjithashtu, Becsey vlerësoi performancën pozitive të ekonomisë shqiptare edhe në kushtet kur ekonomia evropiane vazhdon të vuaj akoma pasojat e krizës ekonomike botërore.

Në përfundim të takimit, ai duke vlerësuar progresin e dukshëm të Shqipërisë drejt proceseve integruese evropiane, shprehu gatishmërinë e qeverisë hungareze për të mbështetur reformat e qeverisë shqiptare drejt Bashkimit Evropian.

n.e/NOA

KOMENTE