English

OSBE nis fushatën e nxitjes: Nisni të përdorni adresarin e ri

Tiranë, 27 tetor, NOA – E financuar nga Bashkimi Evropian me 2.5 milion euro si dhe fonde shtesë nga OSBE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prezenca e OSBE-së në Tiranë ka nisur sot një fushatë ndërgjegjësimi publik për të nxitur përdorimin e sistemit të ri të standardizuar të adresave në Shqipëri, një fushatë në kuadër të projektit të “Modernizimit të Sistemeve të Gjendjes Civile dhe Adresave”.

Prezenca e OSBE-së bën të ditur se fushata do të informojë rreth sistemit të ri të adresave dhe për përfitimet e përdorimit të adresave zyrtare, në vend të pikave joformale të referencës, të përdorura deri më tani.

Kjo fushatë nisi në fund të një projekti të gjatë, i cili pati rezultate të prekshme, për modernizimin e sistemeve të gjendjes civile dhe të adresave në Shqipëri.

Me nisjen e fushatës së ndërgjegjësimit, vetë ambasadori i ri i prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth, theksoi se “Sistemi i ri do të sigurojë shërbime publike më cilësore e të shpejta. Adresat kontribuojnë në përmirësimin e proceseve zgjedhore dhe të shtetit të së drejtës, si dhe e ndihmojnë biznesin të përparojë. Sistemi i adresave do të lidhet me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile për t’i dhënë çdo personi të regjistruar një adresë unike”, sqaroi Wollfarth.

Ndërsa, Luigi Brusa, i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, bëri me dije se “Cilësia e shërbimeve publike varet shumë nga një sistem adresash i shëndoshë, të cilit mund t’i referohen dhe ta përvetësojnë të gjithë. Tashmë, Shqipëria e ka një sistem të tillë. Por ai duhet të përdoret dhe përvetësohet, në mënyrë që të sjellë përfitimet e premtuara”, tha Brusa.

Por, përveç ndikimit në regjistrimin e votuesve, sistemet e reja të gjendjes civile dhe të adresave do të përmirësojnë shërbimet publike për qytetarët shqiptarë, përmes përmirësimit të komunikimit.

Për këtë qëllim, është e nevojshme që qytetarët të njihen me sistemin e ri, adresën e tyre të re dhe të fillojnë t’i përdorin ato.

Madje, qytetarët mund të informohen për mënyrën e përdorimit të sistemit të ri nëpërmjet reklamave në gazeta dhe televizion.

OSBE, informon se “suksesi jetëgjatë i sistemit të ri të adresave dhe veprimet e lidhura me të, si, për shembull, regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë i vitit 2011, varen nga vullneti i qeverisë për bashkëpunim ndërinstritucional, si dhe nga autoritetet përkatëse, si Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Zyrat e Gjendjes Civile dhe Zyrat e Urbanistikës”.

mit/NOA
KOMENTE