Prishtinë, 27 tetor, NOA – Partia Aleanca Kosova e Re, me kryetar Bexhet Pacollin deklaroi sot se ka mbledhur firmat e 40 deputetëve kosovarë për një mocion votëbesimi ndaj qeverisë.
Me anë të tij, kjo parti kërkon t’i japë fund qeverisjes së deritanishme në Kosovë, ndërsa ka refuzuar kërkesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që në tekstin e mocionit të përfshihen edhe konstatimet për dështimet e qeverisë.
Vetë kryetari i AKR-së, Bexhet Pacolli, ka konfirmuar faktin se tashmë mocioni është gati dhe tha se është bindur që java e ardhshme do të shënojë edhe prezantimin e mocionit.“Keqqeverisja është evidente, ajo është shkaktare e kësaj situate. Po të ishte një qeverisje e mirë, me njerëz të sinqertë, e përgjegjshme ndaj qytetarit dhe institucioneve, kjo qeveri do të vazhdonte edhe më tutje”, mësohet të jetë shprehur Pacolli. n.e/NOA