English

PS, Felaj: Më kërcënoi, do ta kallëzoj penalisht bashkëshortin e ministres Bregu

Tiranë, 27 tetor, NOA – Pas mbledhjes së sotme të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj ka deklaruar sot në komisionin e ligjeve se do të kallëzojë në prokurori, Namik Ajazin, bashkëshortin e ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, pasi ai e ka kërcënuar.

Sipas deputetes Felaj, Namik Ajazi e ka kërcënuar personalisht dhe familjarisht deputeten socialiste në një prej lokaleve të kryeqytetit, pasi kjo e fundit e ka akuzuar atë për përfitimet e paligjshme të koncesioneve në hidrocentrale, i ndihmuar si bashkëshort i ministres Bregu.

Deputetja Felaj tha se ka përgatitur kallëzimin penal për fyrje dhe kërcënim për shkak të detyrës, ndaj Namik Ajazit, të cilën do ta paraqesë në ditët e ardhshme në prokurori.

Grupi kuvendor i PS-së, diskutoi sot edhe për seancën plenare të parlamentit ditën e nesërme, duke theksuar se deputetët e PS-së do të kërkojnë përjashtimin për dy javë nga punimet e kuvendit të deputetit demokrat, Edi Paloka, për shkak të fyerjeve personale që Paloka i adresoi sot në komisionin parlamentar të Ligjeve, deputetit socialist, Saimir Tahiri.

mit/NOA
KOMENTE