English

Rama: Berisha dështoi në luftën anti-krim

Tiranë, 27 tetor, NOA – “Sali Berisha ka dështuar dhe nuk i ka mbetur asgjë tjetër përveç rolit të hajdutit, që bërtet kapeni hajdutin. Sali Berisha ka dështuar, pasi gjendja e sigurisë, ekonomisë dhe gjendja sociale në vend sa vjen e përkeqësohet në sundimin e një pushteti, që vodhi votat për të grabitur Shqipërinë”.

Kështu u shpreh sot në një konferencë për shtyp kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili i bëri thirrje kryeministrit Berisha dhe strukturave të shtetit të zbulojnë autorët e vrasjes së Fatmir Xhindit në prag të fushatës së shkuar dhe atë të Remzi Veselit në prag të fushatës së ardhshme vendore.

Duke akuzuar kryeministrin Berisha, lideri i opozitës, tha se “Qeveria që nuk gjen dot autorët e vrasjeve makabër të kundërshtarëve të saj politikë duhet të largohet”.

Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit në mbledhjen e qeverisë, kryesocialisti Rama e cilësoi si një turp shpërfilljen që kryeministri i bëri kryekomunarit të vrarë dy netë më parë në Kukës, duke mos thënë asnjë fjalë, ndërkohë që nuk pushon së vjelli vrerë, baltë e shpifje për opozitën.

“Sali Berisha ka dështuar në luftën me krimin. Sot krimi po kap majat më të larta pas vitit 1997 dhe policia e shtetit ka rënë në rezultatet më të ulëta në luftën me krimin. Fajin për këtë gjendje të rëndë që rëndohet dita-ditës e ka Sali Berisha dhe qeveria e tij që nuk i shërben vendit, po oborrit të familjarëve, klientëve e shërbëtorëve të saj. Kjo qeveri duhet të largohet dhe Shqipëria duhet të votojë lirisht për një qeveri të re dhe për një proces qeverisës demokratik e transparent”, apeloi zoti Rama nga selia rozë.

Ai theksoi se opozita e bashkuar do të ngrihet në protesta për largimin e qeverisë Berisha.

“Çdo ditë që kalon nën këtë qeveri të dalë nga votat e vjedhura, shton numrin e krimeve në dëm të shqiptarëve, rrit barrën e borxheve në kurriz të shqiptarëve, mbyll rrugën e të ardhmes për shqiptarët që nuk jetojnë në oborrin e pushtetit. Shkurtimi i ditëve të kësaj qeverie është domosdoshmëri për Shqipërinë e për shqiptarët”, tha Rama. Sipas tij, prej pesë vitesh kryeministër, kontrollon KRRT-në e Tiranës.

Në këtë kontekst kryesocialisti Rama, njëherësh kryebashkiak sqaroi se është pikërisht Sali Berisha ai që prej më shumë se një viti në Tiranë nuk lejon të jepet asnjë leje ndërtimi, e megjithatë ai shpif, me synimin sipas Ramës se diçka do të mbetet në veshin e qytetërëve shqiptarë.

Kryesocialisti Rama ripërsëriti atë që deklaron qysh prej zgjedhjeve të 28 qershorit, se “Sali Berisha i vodhi zgjedhjet për të plaçkitur Shqipërinë dhe natën grabit, kurse ditën gënjen duke premtuar e shpif duke akuzuar”. Kryetari i Partisë Socialiste, foli edhe për importimin e plehrave duke theksuar se Sali Berisha importon me korrupsion plehra nga jashtë për të përfituar duke mbytur shqiptarët.

“Hedh baltë mbi opozitën dhe tërë lumenjtë e Shqipërisë i ka kthyer me korrupsion në sheshe ndërtimi për hidrocentrale që do t’i shfrytëzojnë oborrtarët e tij. Hedh baltë mbi opozitën dhe ndërton me korrupsion fabrika çimentosh që shkatërrojnë mushkëritë e vendit e të njerëzve të këtij vendi , duke mos kursyer as Krujën e Skënderbeut, të cilës po i nxjerr edhe brinjët për gurore korrupsioni”, argumentoi lideri i opozitës.

Rama ka akuzuar kryeministrin Berisha se po hedh baltë mbi opozitën duke u krenuar për Ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, të cilën Rama tha se Berisha e ka avokate të lidhjeve me mafian për përfitime të paligjshme. Gjatë fjalës së tij, shefi i selisë rozë, Edi Rama evidentoi edhe akuzat për kontrabandën e naftës së papërpunuar për drejtimin e të cilës PS ka akuzuar zëvendësdrejtorin e Policisë së Shtetit, Agron Kuliçi, ish bodigard i Sali Berishës.

“Sali Berisha hedh baltë mbi opozitën dhe kontrabandon naftë me shefa policie sipas dëshmisë së vetë Ministrit të tij të Ekonomisë. Hedh baltë mbi opozitën dhe për korrupsion ngre një lotari kombëtare private si askush në botë”, akuzoi lideri i opozitës, kryeministrin Sali Berisha.

mit/NOA
KOMENTE