Tiranë, 27 tetor, NOA - “Dhunohemi çdo ditë nga persona homofobikë, por në disa raste edhe nga
policia”. Kështu u është drejtuar përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, dhe shoqërisë civile, Nikoleta, e njohur si një nga përfaqësuesit e komunitetit transgjinor në Shqipëri.
Në një tryezë dialogu të zhvilluar nga Ambasada Pink, që mbron të drejtat e komunitetit homoseksual dhe transeksual në Shqipëri, njëra nga përfaqësueset e njohura në rrugët e kryeqytetit, Nikoleta renditi sakaq të gjitha shqetësimet e këtij komuniteti të persekutuar nga shqiptarët, persekutim që rëndon jetën e të gjithë atyre njerëzve që detyrohen të prostituojnë sot në rrugët e Tiranës apo edhe në disa qytete të tjera të mëdha të Shqipërisë në pamundësi të një pune tjetër.
Në këtë tryezë të organizuar nga ambasada PINK / LGBT PRO dhe Aksion Plus në mjediset e Pink, merrnin pjesë komisionerja për Mbrojten nga Diskriminimi, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Punës, të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe të organizatave të shoqërisë civile si CRCA, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Aleanca Kundër Diskriminimit, Shoqata e Personave të Prekur nga HIV/AIDS.
Përfaqësues të këtij komuniteti transgjinor duke rrëfyer përvojat e tyre ngritën shqetësimin se ata nuk përfitojnë dot nga skemat e strehimit për të pastrehët, as ndihmë sociale apo ekonomike, si dhe nuk punësohen nga askush.
Një fakt tjetër i evidentuar ishte se transgjinorët kanë problem edhe të marrin një shtëpi me qera pasi ata nuk konsiderohen si qeniet e tjera dhe nuk besohen nga pronarët.
Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Irma Baraku i ftoi transgjinorët që të paraqesin ankesat e tyre pranë institucionit të pavarur nga politika, institucion, që ajo po ngre dhe drejton aktualisht.
Zonja Baraku i këshilloi transgjinorët se “Ligji i ri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ju ofron të gjitha mënyrat si të adresoni çdo lloj diskriminimi, përçmimi apo padrejtësie që ju bëhet, nga individë, nga struktura shtetërore apo private, ndaj Institucioni që unë drejtoj është i hapur për të gjitha ankesat tuaja”.
Në këtë tryezë transgjinorët informuan përfaqësuesit e shtetit, me shembuj konkretë se kur u duhet të mjekohen, mjekët kanë refuzuar t’i mjekojnë dhe se atyre u mohohen edhe shërbime të tjera nga shteti.
Duke marrë shkas nga prania e përfaqësuesve të Policisë së Shtetit, transgjinorët raportuan raste të përsëritura dhune që uniformat blu kanë ushtruar ndaj personave të kësaj kategorie në shoqërinë shqiptare. Përfaqësuesit e policisë së kryeqytetit pranuan se në rradhët e tyre ka policë të pandërgjegjësuar mbi të drejtat dhe liritë e njeriut, por siguruan se Policia e Shtetit ka krijuar të gjitha mundësitë që çdo qytetar i trajtuar keq të mund të ankohet qoftë në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, qoftë në drejtorinë e marrëdhënieve me Publikun pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Zyrtarët e Policisë së Shtetit pohuan se rastet kur Policia ka ndërhyrë për të ndaluar transgjinorët kanë qenë rastet e prostituimit, vepër kjo që ende dënohet nga Kodi Penal në Shqipëri.
Ambasada Pink, bën me dije se kjo tryezë ishte e para që ky komunitet i nëpërkëmbur dhe i vuajtur i shoqërisë zhvilloi me përfaqësues të shtetit.
Megjithatë në përfundim të diskutimit u ra dakort se gjendja në të cilën jetojnë individët transgjinorë dhe homoseksualë në Shqipëri është e papranueshme, ndërsa mbrojtja e tyre është edhe një kërkesë për integrimin në Bashkimin Evropian, sikundër edhe mbrojtja e të drejtave dhe lirive të të gjithë shtresave të shoqërisë.
Sipas Ambasadës Pink, tryeza ishte përpjekja e parë për të ndërtuar ura bashkëpunimi, komunikimi e mirëkuptimi mes shtetit dhe këtij komuniteti, që ende jeton në mes të të katër rrugëve, pa një strehë mbi krye, pa një punë, pa njerëz e pa të afërm dhe çdo ditë nën rrezikun e vdekjes, qoftë nga uria, qoftë nga dhuna fizike.
mit/NOA