Tiranë, 27 tetor, NOA – “E premtja e kaluar ishte një fillim i mbarë. Por është vetëm një fillim. Koha po ecën, zgjedhjet po afrohen dhe nuk ka kohë për të humbur”.
Kështu është shprehur sot ambasadori i Prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth në tryezën e organizuar me lajtmotiv “Zgjedhjet dhe sfidat e reformës zgjedhore në Shqipëri”, ku kreu i OSBE-së u ka bërë thirrje forcave politike të vazhdojnë tryezën për reformën zgjedhore.
“Të mos harrojmë që kanë mbetur vetëm 28 javë nga Dita e Zgjedhjeve në maj të vitit të ardhshëm dhe “Ora Zgjedhore”, le të themi, ka nisur tik-takun me një ritëm të shpejtë dhe alarmues”, deklaroi Wollfarth.
Wollfarth u bëri thirrje partive politike që të vendosin në plan të parë interesin kombëtar dhe të përmbushin këtë detyrë të rëndësishme.
Duke lexuar rekomandimet më të fundit të OSBE-ODHIR lidhur me zgjedhjet e kaluara Wollfarth tha në tryezën e rrumbullakët se “Partitë politike duhet të tregojnë vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike konform privilegjeve të mëdha që gëzojnë sipas ligjit në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve. Ato duhet të realizojnë detyrat e tyre zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme në interesin e përgjithshëm të Shqipërisë, një paragraf ky detyrues”, theksoi Wollfarth.
Sipas kreut të OSBE-së, zgjedhjet për qeverisjen vendore do të zhvillohen dhe duhet të zhvillohen në mënyrë profesionale, ku të plotësohen të gjitha angazhimet ndaj OSBE-së dhe jo vetëm disa prej tyre.
Andaj sipas tij, mbetet detyrë kryesore kthimi i faqes së historisë së zgjedhjeve problematike në Shqipëri, në mënyrë përfundimtare dhe të pakthyeshme.
Ambasadori i OSBE-së, citoi raportin mbi zgjedhjet e 28 qershorit 2009 duke thënë se “Edhe pse përmbushën shumicën e angazhimeve ndaj OSBE-së, këto zgjedhje nuk realizuan plotësisht potencialin e Shqipërisë për t'iu përmbajtur standardeve më të larta për zgjedhje demokratike, andaj një reformë zgjedhore e mëtejshme është e nevojshme”, tha ambasadori i Prezencës së OSBE-së.
mit/NOA