English

66 rrëfimet e Maks Gjerazit sot në Teatrin e Metropolit

Tiranë, 28 tetor, NOA – Në Teatrin e Metropolit prezantohen sot në orën 18.00 disa nga rrëfimet më të kripura të Maks Gjerazit.

Ky shkrimtar enigmatik, që u end për vite të tëra në blogjet shqiptare duke i bërë periudhës së diktaturës radioskopi e radiografi nga më zhbirueset, sot vjen i kthjelluar në një libër 200 faqesh me pamjen e autorit të tij të vërtetë: Ardian Vehbiu.

“Gjashtëdhjetë e gjashtë rrëfimet e Maks Gjerazit” quhet libri, që shumë shpejt do zërë vendin e merituar si një nga tablotë më të plota të jetës sonë tragjikomike dhe absurde nën diktaturë.

Zyrtarë të lartë, nëpunës të ulët, shkrimtarë patetikë, armiq dinamikë, ambasadorë, diversantë, Doktor Vomitus dhe Arkitekt Lakra, fëmijë ushtarë, oficerë fëmijë dhe sozi: në galerinë ngjyrashumë të Maks Gjerazit, ilustruar nga disa prej ilustrimeve më pikante të Kripës (edhe ky një personazh legjendar i internetit, edhe ky fëmijë ilegjitim i Ardian Vehbiut), të gjithë i kanë dyert e hapura të hyjnë.

Me një kusht, që të kenë qenë pjesë e zemberekut, i cili kishte vetëm një qëllim: që ora e diktatorit të punonte siç e dëshironte ky.

Teatri i Metropolit sjell këtë pasdite 66 rrëfimet e Maks Gjerazit, në praninë e atit të vet shpirtëror.

m.s/mit/NOA
KOMENTE