Romë, 28 tetor NOA - U kthye në Itali për të rigjetur veten në formën më të mirë të mundshme, por Adriano mund të kthehet sërish në Brazil pa e tentuar aspak këtë sfidë.
Për momentin braziliani ndodhet jashtë fushave të lojës si rrjedhojë e një dëmtimi që ka pësuar në kavilje dhe rikthimi i tij është në program për derbin me Lazion më datë 7 nëntor.
Me sa duket Adrioano ndihet si i tepër në një sulm ku Totti dhe Borriello janë të paprekshëm. Në zgjedhjet e Ranierit përpara tij qëndron dhe Vucinic. Mund të themi se në këtë mënyrë është tepër logjike që braziliani të mendojë për një rikthim të mundshëm tek Flamengo.
r.b/NOA