Ferizaj, 28 tetor, NOA – Dy inspektorë të dyshuar për shpërdorim detyre janë arrestuar nga policia e Kosovës.
Ata janë përkatësisht një Inspektor Fitosanitar Kufitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe tjetri Inspektor Veterinar Kufitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Emrat e të arrestuarve nuk publikohen nga policia porse jepen inicialet e tyre, njëri është 47 vjeçari M. S. Nga komuna e Shtimë, por banues në Prishtinë, ndërsa tjetri është 43 vjeçari me iniciale N. Z. nga Gjilani.
Sipas policisë arrestimi i dy inspektorëve u realizua mbrëmë rreth orës 19:30, nga drejtoria e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Ferizaj.
Nga hetimet rezulton se të dyshuarit gjatë kryerjes së detyrës zyrtare kanë pranuar mallra nga importuesit e ndryshëm me qëllim për t’i ekzaminuar në laboratorët e agjencisë kufitare dhe mostrat e marra nuk i kanë dorëzuar për ekzaminim, por i kanë shitur nëpër depo të ndryshme biznesi për përfitime materiale.
Hetuesit e krimit ekonomik i ndiqnin prej dy muajsh personat në fjalë deri sa siguruan provat materiale të mallit të marrë nga të arrestuarit, mall që u konfiskua dhe do të përdoret si provë materiale në gjykatë për akuzat ndaj dy inspektorëve të shtetit.
Dy inspektorëve u është caktuar masa e arrestit për 48 orë.
mit/NOA