Shkup, 28 tetor, NOA - Dosjet origjinale të ish-spiunëve të UDB dhe KOS jugosllav, nuk i ka qeveria e Boris Tadiç që qeveris aktualisht Serbinë.
“Dosjet origjinale, bashkë me 10 hartat origjinale të të zhdukurve shqiptarë të Kosovës dhe edhe të myslimanëve të Bonjës, në ikje nga pushteti i tyre, i kanë marrë njerëzit e pushtetit të Sllobodan Millosheviçit”, pohon në një deklaratë të posaçme lidhur me këtë fakt, kreu i Frontit për Bashkimin Kombëtar, Gafurr Adili.
Sipas tij, struktura inteligjente e ish-FBKSH-së, Sigurimi Kombëtar Shqiptar (SKSH), pas 5 vitesh përpjekje dhe sakrificash sublime, arriti që të merrte një hartë origjinale të një varreze masive, që ndodhet në territorin e Republikës së Kosovës, dhe fotokopjet e 9 varrezave të tjera, si dhe të gjitha fotokopjet e dosjeve të spiunëve shqiptarë dhe edhe të spiunëve sllavo-maqedonas të ish-UDB dhe të ish-KOS jugosllav.
Sipas Adilit, Sigurimi Kombëtar Shqiptar (SKSH) nuk kishte mundësi financiare që t'i paguante të gjitha hartat origjinale dhe të gjitha dosjet e spiunëve të ish-UDB dhe të ish- KOS jugosllav, prandaj edhe vendosi që këtë hartë origjinale të një varreze masive me shqiptarë të Kosovës, t’ia jepte atij.
n.e/NOA