English

KMDLNJ: Ambasadori Dell të kërkojë falje publike

Prishtinë, 28 tetor, NOA – “Të gjithë ata që janë kundër privatizimit të PTK-së janë nostalgjikë për të kaluarën (mbase për ish-Jugosllavinë), komunistë, robër të njëmendësisë dhe kundërshtarë të ekonomisë së tregut, partizanë të së kaluarës të cilët ruajnë ndjenja të nostalgjisë për socializmin e Luftës së Ftohtë dhe të kohës së Jugosllavisë, konspirativë etj”.

Këto cilësime të bëra nga ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Kristofer Dell, janë kundërshtuar nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, sipas drejtuesve të të cilit, ata që nuk pajtohen me mënyrën siç mendohet të privatizohet PTK, nuk do të thotë se janë kundër procesit të privatizimit.

“Këto cilësime diskualifikuese të ambasadorit Dell u drejtohen shoqërisë civile në radhë të parë dhe OJQ-ve që nuk janë në valë të njëjta me qëndrimet e tij, por nuk janë të përjashtuar as subjektet politike, parlamentare dhe joparlamentare”, shkruan Bexhet Shala, kreu i KMDLNJ lidhur me këtë çështje.

Sipas tij, të cilësohesh se je nostalgjikë për ish-Jugosllavinë në kohën kur dihet për vuajtjet që qytetarët e Kosovës, shqiptarët në veçanti kanë pësuar pikërisht nga ai regjim është jodemokratike dhe johumane.

“Të qenit komunistë nuk nënkupton menjëherë se jeni njeri i keq sikur se deklarimi se jeni demokrat nuk nënkupton se jeni njeri i mirë dhe vërtet demokrat. Për qytetarët e Kosovës, shqiptarët në radhë të parë është fyerje nëse në çfarëdo konteksti ndërlidhen me komunistët jugosllavë sepse të gjitha krimet ndaj shqiptarëve janë bërë në emër të këtij komunizmi. Prandaj është i tepërt dhe jo i drejtë cilësimi diskualifikues i ambasadorit Dell”, përfundon deklarata e tij.

n.e/NOA

KOMENTE