English

Kryeprokurorja Ina Rama: Nuk kam përplasje me Presidentin

Tiranë, 28 tetor, NOA – “Deklarata e Presidentit të republikës është përsëritje e kërkesës ndaj organeve drejtësisë për të kryer me përkushtim detyrat dhe funksionet e tyre përballë akuzave të përditshme mediatike".

Kështu i është përgjigjur mediave sot Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, për të ashtuquajturën replikë të Presidentit të Republikës, që dy ditë më parë në diplomimin e 10 magjistratëve të rinj, i tërhoqi vëmendjen prokurorisë që të nisë sa më shpejt hetimin për akuzat e përditshme të politikës për korrupsion e bashkëpunim me mafian si dhe kontrabandë, akuza që sipas kreut të shtetit duhej të kishin nisur ekspozimin e fuqishëm të prokurorisë pasi ai i cilësoi si një lëndë e parë si asnjëherë më parë kaq e konsiderueshme për hetim.

E pyetur nga gazetarët, në përfundim të një aktiviteti për përurimin e manualit për luftën kundër korrupsionit dhe krimit financiar, kryeprokurorja Ina Rama u përgjigj se e kishte dëgjuar me shumë vëmendje deklaratën e kreut të shtetit, duke theksuar se nuk shihte asnjë përplasje ose kundërshtim mes tyre për punën e prokurorisë.

Ishte presidenti Topi ai që gjatë ceremonisë së diplomimit të 10 prokurorëve të rinj përfitoi t’i bënte thirrje organeve të drejtësisë për hetimin e akuzave për korrupsion nga “jakat e bardha apo me viza” siç ironizoi kryetari i shtetit, akuza të cilat qytetarët e thjeshtë nuk kanë pse t’i dëgjojnë nëpër media përditë, porse duhet të hetohen nëpër organet specifike të drejtësisë.

Madje Presidenti Topi duke vënë gishtin në këtë çështje theksoi me forcë se ka ardhur koha për drejtësi, duke i bërë me dije kryeprokurores se organet e drejtësisë duhet të shkëputen nga politika dhe të punojnë në mënyrë të pavarur për zbardhjen e akuzave të ndërsjella dhe vendosjen e drejtësisë.

Gjatë aktivitetit të sotëm ku merrte pjesë kryeprokurorja Ina Rama u përurua manuali për luftën kundër korrupsionit dhe krimit financiar, një manual teorik, i cili do t'u vihet në dispozicion ekspertëve të sistemit të drejtësisë.

Ky manual u përgatitur nga USAID në një projekt të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të ndihmës për reformimin e sistemit të drejtësisë shqiptare.

mit/NOA
KOMENTE