Tiranë, 28 tetor, NOA – Ministria e Drejtësisë sqaron opinionin publik se reduktimi i fondeve të AKKP-së nuk cënon aspak pjesën e fondit për kompesimin e pronarëve.
Këtë deklaratë e ka bërë sot zëdhënësja e ministrisë së Drejtësisë, Migena Demirxhi, e cila sqaroi publikun për disa keqintepretime të vendimit të qeverisë për rishpërndarjen e fondeve buxhetore për shpenzimet korrente, brenda programeve të Ministrisë së Drejtësisë, duke thënë se lajmi i publikuar në disa media mbi të ashtëquajturin shkurtim të fondeve për kompesimin financiar të –ish pronarëve është i gënjeshtërt.
Sipas zëdhënëses së MD-së, reduktimi i fondeve të Agjencisë së Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, ka ardhur si rrjedhojë e shkurtimit të shpenzimeve korrente nga pagat e punonjësve, numri i të cilëve u pakësua nga 150 në 91 në kuadër të risktrukturimit të Agjencisë, mbylljes se degëve të saj në rrethe dhe nuk cënon aspak pjesën e fondit për kompesimin e pronarëve.
“Përsa i takon procedurës së kompesimit financiar të ish-pronarëve vetëm një javë më parë qeveria me një vendim të posaçëm lehtësoi akoma më shumë procedurat për këtë proces duke hequr kufizimin e kohës së aplikimit për të gjithë pronarët, që kompesohen për tokat e zëna nga ndërtimet informale si dhe duke lejuar që aplikimin për kompesim ta bëjë çdo trashëgimtar veçmas”, nënvizohet në deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë.
mit/NOA