Tiranë, 28 tetor, NOA – Pas replikave mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi për vendimin e qeverisë për ndërtimin e parlamentit të ri tek ish piramida e diktatorit Enver Hoxha sot Qendra Ndërkombëtare e Kulturës opozita braktisi seancën plenare të kuvendit.
Kreu i grupit kuvendor të PS-së, Gramoz Ruçi në replikën e tij të fundit për sot i kërkoi mazhorancës të zbardhë dy vrasjet e kryekomunarit në Kukës, Remzi Veselit dhe asaj të deputetit Fatmir Xhindi.
Ruçi nënvizoi se të dy përfaqësuesit e opozitës i vranë në prag të shtëpisë, që të dy në prag të zgjedhjeve, duke theksuar se tashmë që të dyja vrasjet ende janë krime të pazbardhura.
Ruçi i kërkoi kryeministrit të distancohej nga akti kërcënues i bashkëshortit të ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, Namik Ajazi ndaj familjes dhe personalisht ndaj deputetes socialiste, Ermonela Felaj.
Sipas Ruçit moszbardhja e këtyre krimeve është një nga arsyet që opozita braktisi seancën, duke përsëritur edhe kërcënimet e deputetit Edi Paloka ndaj deputetit socialist, Saimir Tahiri në Komisionin e Ligjeve, ku Paloka i tha kolegut të opozitës se “Do ti priste kokën”.
Por, Ruçi replikoi rishtas edhe mbi vendimin për parlamentin e ri duke i thënë kryeministrit se është pikërisht ai që ka mallëngjim për pushtetin e Enverit, duke i thënë se ai ulet në karrigen e diktatorit Enver Hoxha jo vetëm në mbledhjen e Grupit Parlamentar, por edhe tryezën për reformën zgjedhore e mbajti po aty.
Ruçi në emër të opozitës i kërkoi mazhorancës sakaq referencat ligjore për zhvillimin e një konkursi ndërkombëtar për piramidën, duke i thënë kryeministrit se ish piramida është prej disa vitesh Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Pjetër Arbnori”.
Ai kërkoi edhe anullimin e vendimit për ish-Piramidën.
Në fund të fjalës së tij, zoti Ruçi rikujtoi edhe ofertën e PS-së për reformën zgjedhore, të dorëzuar të premten e shkuar nga shefi i opozitës, Edi Rama, të cilës kryeministri Berisha ende nuk i ka kthyer një përgjigje.
“Ja pse jemi ne këtu në këtë seancë, që këmbana të bjerë fort nëse keni vesh për të dëgjuar dhe sy për të parë”.
Kështu e përfundoi replikën e tij Gramoz Ruçi, duke dalë kështu edhe nga salla bashkë me kolegët e tij opozitarë.
Ndërsa opozita ishte duke braktisur sallën e kuvendit, kryeministri Berisha mori rishtas fjalën duke i thënë Ruçit se po shqyrton me seriozitet draftin që lideri i opozitës Edi Rama i dorëzoi të premten e shkuar në tryezën për reformën zgjedhore.
Shefi i ekzekutivit kishte deklaruar më parë se opozita është kundër projektit për parlamentin e ri tek ish-Piramida, pasi kërkon të mbrojë imazhin e diktatorit dhe fantazmën e tij, që pa u prishur piramida duket se do të mbetet i rrënjosur në atë muze, i ndërtuar enkas për të në vitin 1998.
mit/NOA