Paris, 28 tetor, NOA – Franca zyrtare ka paralajmëruar tërheqjen e saj të parë nga rajoni i luftës në Afganistan, menjëherë pas kërcënimit që i mbërriti dje nga kreu i organizatës terroriste Al Kaeda ndaj saj.
Lajmin e ka bërë me dijeni vetë ministri francez i Mbrojtjes, Herve Morin, duke saktësuar se në fillim të vitit 2011 do të nisë tërheqja e trupave nga Afganistani, megjithëse duke e mohuar ë kjo të ketë ndonjë lidhje me mesazhin e djeshëm kërcënues të Osama Bin Ladenit.
"Larg nga lufta e urdhëruar prej Bushit”. Kjo ka qenë thirrja që kreu i organizatës terroriste “Al Kaeda”, i ka drejtuar dje kreut të shtetit të Francës, Nikolas Sarkozi.
Duke e kritikuar për vendimin mbi ndalimin e mbajtjes së perçes për gratë myslimane që jetojnë në Francë, Bin Laden, i është drejtuar Sarkozisë duke i thënë se me këtë akt, ai dhunon të drejtën e popullatës myslimane të këtij vendi.
“Ky ka qenë një reagim ndaj padrejtësisë. Mënyra e vetme e Parisit për të mbajtur sigurinë e tij është që të tërhiqet nga Afganistani. Është e papranueshme që keni marrë pjesë në pushtimin e vendit tonë, ju keni vrarë gratë tona, konfiskuar pasurinë tonë dhe pastaj ju jetoni në paqe për vete”, pohon mesazhi i Bin Ladenit.
n.e/NOA