English

PS, Balla: Berisha, “dora e fshehtë” e krimit dhe korrupsionit

Tiranë, 28 tetor, NOA, Update – “Ne i kërkojmë Sali Berishës të marrë mbi vete përgjegjësitë që i takojnë nga kjo situatë tragjike e rendit dhe krimit në Shqipëri, ku krimi ka marrë hov jo vetëm nga paaftësia dhe shterpësia në punën e policisë së shtetit, por edhe nga lidhjet, përfshirja dhe mburoja politike, që sot në Shqipëri kjo qeveri e kalbur i jep organizatave kriminale, të cilat i përdori në qershor të vitit të kaluar për të bërë presione dhe për të vjedhur zgjedhjet”.

Kështu e ka nisur sot fjalën e tij në seancën plenare të kuvendit, deputeti socialist, Taulant Balla, i cili deklaroi në foltoren e kuvendit se Sali Berisha dhe qeveria e tij janë të kapur nga krimi dhe korrupsioni.

Deputeti socialist e ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha si dorën e fshehtë të vrasjes së dy përfqqësuesve të PS-së, deputetit Fatmir Xhindi 18 muaj më parë dhe kryekomunarit të Kukësit, Remzi Veseli.

“Sali Berisha ti je personi që mban peng zbardhjen e dy vrasjeve politike, të dy socialistëve të ndershëm, të dy të zgjedhur me disa mandate radhazi; të dy u vranë në derë të shtëpisë; të dy në prag të fushatës zgjedhore; të dy të projektuar për rikandidim nga Partia Socialiste”, tha deputeti Balla.

Ai i drejtoi gishtin e fajësisë kryeministrit edhe për shkak të retorikës që shefi i ekzekutivit përdor ndaj opozitës, duke nxitur urrejtjen pse jo edhe kanosjen për eliminime fizike në radhët e opozitës.

“Je i vetmi kryeministër në botë që ke kërcënuar për vrasje, përdhosje, eleminim të deputetëve të opozitës. Po të kujtoj këtu, seancën e 23 korrikut 2008, më ke kërcënuar se unë nuk do të shkel më i gjallë në këtë sallë apo se do më vrasësh. Prandaj ti Sali Berisha je i lidhur me krimin, sepse ti di të përdorësh në politikë, parimet e bandave. E kur lidhesh me krimin nuk ka si mos të jesh i zhytur në batakun e korrupsionit, sepse vetëm kështu mund të paguhen mercenarët”, i kujtoi deputeti socialist, kryeministrit.

Ai e cilësoi pushtetin e Berishës si më të korruptuarin në Evropë, që i bën kunetërit, partnerët dhe bashkëshortët e oborrtarëve, Vokshi, Bregu, Ruli, Bulku pronarë hidrocentralesh me vlerë sa gjithë buxheti i investimeve të këtij viti.

Balla e cilësoi se pushtetarin më të korruptuar shefin e mazhorancës Berisha për shkak se burimet naftëmbajtëse që vlejnë mbi 1 miliard euro ia ka dhënë sekserëve të familjes, sikundër Balla përmendi rastin e ish-bodigardit të kryeministrit, Agron Kuliçi sot zëvendës drejtor i policisë së shtetit, që është i dyshuari kryesor për kontrabandën marramendëse të naftës së papërpunuar që vetëm në vitin 2009 ka gllabëruar plot 60 milionë euro.

Deputeti Balla theksoi se ky është pushteti më i korruptuar në Europë, pasi nuk ka ministër të kabinetit Berisha i paimlikuar në afera korruptive dhe kriminale.

“Hajdutëria ka zënë edhe këtë zonjën që po shkatërron parlamentarizmin në Shqipëri. S’ka faj kur sheh ç’ po bën Majlinda, pse të rrijë dhe kjo duarkryq, andaj të enjten e kaluar vodhi jo vetëm vota deputetësh, por edhe një pronë mu në mes të Tiranës, pasi punonjësve të kuvendit u ka thënë që muzeun e Enverit, do ta bëjë muze për Saliun”, akuzoi kryeparlamentaren Jozefina Topalli, deputeti socialist.

Por, sipas deputetit Balla, të enjten e shkuar në kuvend me votat e 71 deputetëve u krye një vjedhje kolegjiale.

Deputeti socialist e akuzoi sakaq kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli për vendimin e marrë një javë më parë, në shkelje të parlamentarizmit, i cili hodhi në erë miliardat e investimeve nga taksapaguesit si për sallën e tanishme të kuvendit e rikonstruktuar gjatë muajit gusht dhe të ish-Piramidës që gëlltiti miliona euro për t’u kthyer në një Teatër Kombëtar.

“Po si moj Xhozefinë votove një vendim për Piramidën, pa e bazuar në asnjë ligj, pa e diskutuar as në komisione dhe as në seancë, pa dhënë as një shpjegim për miliardat e hedhura gjatë dy viteve të shkuar në atë godinë nga Ministria e Kulturës për ta bërë Teatër - 6 miliardë, ku pllakat e mermerit u zëvendësuan me pllaka majolike vc-je. Dhe as për qindra milionët e hedhur në kët sallë, të cilat pas dy vitesh do jenë para të hedhura kot”, tha Balla.

Në përfundim të fjalës së tij, deputeti Balla akuzoi kryeparlamentaren Topalli se për karriget e reja të sallës së parlamentit ka afruar fqinjin e saj në Shkodër duke i thënëe se “Ne nuk të thamë gjë për qindra milionët e hedhura këtu, megjithëse shumë shtrenjtë i ka karriget kjo kompania e ish-komshiut tënd në Shkodër”.

mit/NOA
KOMENTE