English

Ridvan Bode: Emëtimi i Eurobondit të parë shqiptar, sot një ditë historike

Tiranë, 28 tetor, NOA – “Jam këtu para jush për të sjellë një lajm shumë të mirë për shqiptarët! Që nga ky moment, Shqipëria është pjesë e tregjeve të kapitaleve botërore, është pjesë e transaksioneve më të besueshme që kanë sot ekonomitë botërore.

Sapo u njoftuam se tregu i kapitaleve i ka hapur dritën jeshile Shqipërisë përmes përfundimit me sukses të procedurave për emetimin e të parit eurobond në historinë një shekullore të shtetit shqiptar”.

Kjo ishte deklarata e sotme e ministrit të Financave, Ridvan Bode, për emëtimin e Eurobondit të parë shqiptar në tregun e kapitaleve.

Sipas tij, eurobondi i saponjoftuar nga dy bankat drejtuese të transaksionit, Deutsche Bank dhe JP Morgan, konfirmohet të jetë në një prerje prej 300 milion euro dhe me një çmim kuponi prej 7.5 %.

“Ky është një moment historik jo vetëm për qeverinë tonë, por për gjithë shqiptarët. Emetimi i Eurobondit në këtë prerje dhe në këtë normë interesi përbën një sukses të padiskutueshëm dhe që konfirmon besueshmërinë e qeverisë, besueshmërinë e ekonomisë shqiptare, besimin tek reformat e guximshme që ka ndërmarrë qeveria, suksesin e pamohueshëm të politikave tona makro-ekonomike.

Duhet thënë se credit rating ose pozicioni i renditjes së Shqipërisë në tregjet financiare globale nuk ishte aq i përshtatshëm për të arritur në këtë prerje dhe me çmimin që ne lëshuam sot Eurobondin e parë. Vendet e tjera të rajonit të cilat janë në këto tregje më parë se vendi ynë dhe që kanë tregues të rating-ut të paktën dy shkallë më lart nga ekonomia jonë kanë marrë me norma më të larta interesi. Pak ditë më parë Mali i Zi që ka dy shkallë më lart reatingun nga reatingu jonë mori Eurobondin me çmim kuponi 7.9 % për të mos përmendur Maqedoninë që ishte në një periudhë tjetër që ishte mbi 9 %.

Kjo vërtetoi atë që Bloomberg theksoi se ekonomia e Shqipërisë është shumë herë më e fuqishme dhe më performante se sa e vlerësojnë tregjet nga jashtë. Dhe unë shpresoj se kjo tendencë e vlerësimit të tregut për ekonominë shqiptare të tejkalojë edhe më tej parashikimet dhe vlerësimet e institucioneve që merren me vlerësimet e vendeve.

Sikurse edhe e thashë prerja e Eurobondit është prej 300 milionë eurosh.

Në Eurobond u ofruan shuma tepër më të mëdha nga kjo por ne përzgjodhëm pikërisht prerjen 300 milionë euro, e cila është e pëlqyeshme për tregtinë në madhësi dhe së dyti me interesin më të ulët dhe më të mirë për ekonominë shqiptare.

Nga sot në të gjitha agjencitë e tregjeve të kapitalit Shqipëria do të vijojë të mbetet e renditur dhe Eurobondi i saj do të tregtohet lirshëm në çdo moment nga blerësit e nivelit të dytë.

Ajo që është për t'u theksuar është fakti se Eurobondi është 1 pikë përqindje më pak nga sa autorizoi Kuvendi i Shqipërisë, 7.5 % nga 8.5 % që ishte autorizimi i Kuvendit.

Dhe përtej kësaj procedure aspak të pëlqyeshme për daljen në treg, se duhet të deklarosh më parë normën e interesit, unë mendoj se zbritja në këtë përqindje dëshmon edhe një herë për një ekonomi të besueshme që del në tregje për t'u bërë pjesë e tregjeve globale dhe jo pjesë e nevojave për të zgjidhur nevojat e çastit.

Në këtë kuadër mënyra se si është formuar Eurobondi është po ashtu një arritje. I ndarë në proporcione të barabarta midis bankave investuese me një të tretën, midis kompanive investuese të kapitaleve me një të tretën dhe një e treta përbëhet nga fondet e menaxhimit të investimeve fondet e sigurimeve shoqërore sh]ëndetësore etj.

Pra pjesëmarrja në Eurobond e të ashtuquajturave fryma manipulative ishin gati të papërfillshme dhe kjo dëshmon për një Eurobond tërësisht të përdorur, lëshuar dhe blerë për qëllime të investimit afatgjatë

Përdorimi i Eurobondit do të ndjekë ato prioritete që tashmë janë deklaruar për të zëvendësuar 200 milionë euro kredi sindikale, e cila ka një efekt kursimi nga ky veprim prej rreth 1 miliardë lekësh në vit sikurse edhe për të vijuar financimin e operacioneve valutore që kanë të bëjnë me qeverinë

Kjo do të thotë se ne emetojmë në tregun e brendshëm sot si pjesë e përmirësimit të bilancit të pagesave dhe pjesë e uljes së presionit për mbivlerësimin e euros dhe zhvlerësimit të lekut një shumë prej rreth 100 milionë eurosh

Pjesëmarrja në tregjet e kapitalit tashmë do t'i mundësojë qeverisë, po jo vetem qeverisë dhe biznesit, aksesin në tregjet e kapitaleve në mënyrë të përditshme dhe profesionale, çka do të thotë se ne mund të bëhemi pjesë e transaksioneve të ardhshme për një periudhë shumë më të shkurtër dhe me një interes që tashmë është i paranjohur për shkak të tregtimit të asaj që kemi në treg.

Eurobondi ishte një proces tërësisht i komplikuar dhe i vështirë edhe për shkak të papajtueshmërisë ose pamjaftueshmërisë së kuadrit tonë ligjor, kufizimeve në raport me transaksione të tilla tregtare financiare, por edhe për shkak të mungesës së eksperiencës. Ky transaksion mban në vetvete kontributin dhe angazhimin e stafit të ministrisë së Financave që në mënyrë të shkëlqyer do të thoja, kanë ndjekur në mënyrë të përditshme dhe garantuar sigurinë e transaksionit në momentin që ne po flasim.

Dalja e Eurobondit shqiptar nuk ishte në ditët më të mira të tregut, aq më tepër në tregun rajonal, pasi dy ditët e fundit kur ne ishim pasi tre ditë ndejtëm në Eurobond dëgjuam lajme jo të këndshme që vinin nga mosrealizimi i pritshmërive të një sërë ekonomive të mëdha të Bashkimit Europian por edhe të vendeve fqinje me ne, çka do të thotë një turbullim të tregjeve financiare globale. Megjithatë, mbyllja me sukses e Eurobondit shqiptar dëshmon se ekonomia shqiptare vlerësohet si e tillë si një ekonomi vitale dhe si nje ekonomi që ndërvaret pak nga zhvillimet e ekonomive të veçanta europiane

Së fundmi do të dëshiroja të shprehja mirënjohjen kompanive që tregtuan të parin eurobond shqiptar sikurse edhe të gjithë investitorëve që investuan në këtë Eurobond të cilat në mënyrë të shkëlqyer u bënë dëshmitar përkrahës për t’u dëshmuar tregjeve financiare globale dinamizmin dhe besueshmërinë e nëj ekonomie në rritje të shpejtë

Unë edhe një herë duke përfituar nga ky rast do të doja të theksoja se tashmë ekonomia shqiptare është pjesë e tregjeve globale të kapitaleve ç’ka do të thotë pjesë e vlerësimeve permanente të këtyre tregjeve dhe pjesë e performancës që vlerësohet nga tregu dhe jo më nga deklarata politike.

Z.Bode, a është me leverdi norma e arritur prej 7.5 %?

Sigurisht që është me interes. Kjo është një notë që i jepet një ekonomie në tregjet globale të kapitale dhe për një vend të vlerësuar me B+, interesi prej 7.5 % në kushtet aktuale është tepër vlerësues. Ndërkohë që po ta shihni në detaje ecurinë e Eurobondit, niveli i riskut dëshmon më shumë për suksesin e tij. Nëse Maqedonia e kishte nivelin e riskut 4.7 %, Shqipëria e kishte vetëm 2.1

Sigurisht që është me leverdi pasi ne deri më sot jemi shërbyer në tregun e vendit dhe një kredi në euro, e cila nuk është e lehtë të sigurohet në tregun e brendshëm dhe me një afat të tillë 5 vjeçar siç është Eurobondi, do të ishte shumë më e shtrenjtë se sa kredia e marrë në tregjet kapitale.

Ajo që është më e rëndësishme, qëllimi nuk është të shërbejmë thjesht buxhetin e shtetit, por të luajmë një rol aktiv në ekonominë reale dhe ne i injektojmë gjak të ri trupit të ekonomisë tonë.

A do dilni përsëri në treg?

Përderisa jemi në treg do të jemi gjithnjë në pritje. Do të bëjmë llogaritë tona, jo thjesht të buxhetit por të ekonomisë shqiptare për të qenë aktiv në këto tregje

Z. Ministër, a është koha e përshtatshme për daljen në tregun e kapitaleve?

Sigurisht që nuk ishte koha e përshtatshme. Por unë mendoj që dalja e Shqipërisë në tregun e kapitaleve duhej të ndodhte detyrimisht, sepse një ekonomi e tillë dinamike e mbetur jashtë njohjes së tregjeve të kapitaleve dhe jashtë vëmendjes së tyre mbetej e vetë-izoluar. Ne pritëm deri sa të qetësohej kriza ekonomike globale, kriza financiare e tregjeve për t’u bërë pjesë e tregut të kapitaleve. Sigurisht që ne besojmë dhe shpresojmë se do të ketë momente edhe më pozitive në të ardhmen për ekonominë botërore. Kjo sepse pritet që vitin e ardhshëm të fillojë një ngritje e konsiderueshme e ekonomisë globale dhe pritet që problemet që kanë gjithë vendet me shërbimin e buxhetit të vijnë duke u zbutur për shkak të politikave të ndërmarra nga qeveritë. Por ne mendojmë se dalja sa më shpejt, si pjesë e ekonomisë globale dhe e vlerësimit të shkëmbimeve të ndryshme ekonomike e financiare është një avantazh i madh për ekonominë tonë dhe një besueshmëri e shtuar për Shqipërinë në sytë e botës.

NOA

KOMENTE