English

AMC mbështet studentët me arritje më të mira akademike

Tiranë, 29 tetor, NOA - Kompania AMC ka dhënë bursat për më të mirët e Maturës Shtetërore dhe për studentët që kanë qenë pjesë e programit të bursave dhe kanë vijuar me rezultate të larta edhe në vitet në vazhdim.

Ceremonia e dhënies së bursave është organizuar në ambientet e kompanisë AMC, ku këtë vit, studentët më të mirë janë ftuar nga drejtori i AMC, Stefanos Oktapodas, t’i vizitojnë ato për të takuar disa prej punonjësve të saj dhe për të parë më nga afër se si funksionon një sipërmarrje e përmasave të tilla.

Në fund të vizitës në kompaninë më të madhe të komunikimit celular në Shqipëri, studentët u pritën nga vetë z.Stefanos Oktapodas.

Ai i përgëzoi për arritjet e deritanishme dhe i uroi të vazhdojnë t’i kushtojnë të njëjtin përkushtim përgatitjes së tyre akademike, si një bazë e të ardhmes së tyre profesionale.

Ai shtoi se edhe në të ardhmen AMC do të mbështesë studentët e vitit të parë dhe ata që do të vazhdojnë të kenë rezultate të larta në studimet e tyre. Këtyre studentëve do t’u jepet mundësia e afrimit në AMC nëpërmjet projekteve të punësimit të pjesshëm apo të plotë.

Ky është viti i nëntë që AMC mbështet studentët më të mirë. Këtë vit numri i tyre është rritur. Përveç 10 studentëve që do të ulen për herë të parë në auditorët e universiteteve, edhe 7 nga studentët që kanë qenë pjesë e programit të AMC në vitet e mëparshme, do të përfitojnë Bursën e AMC pasi kanë ruajtur një ritëm të lartë në përgatitjen e tyre akademike.

AMC mbështet studentët më të mirë në kuadër të përgjegjësisë sociale të kompanisë, duke patur si qëllim rritjen e cilësisë së arsimit, si dhe krijimin e kapaciteteve njerëzore të qëndrueshme.

n.e/NOA

KOMENTE