English

Basha: Lëvizje e lirë s’do të thotë punësim dhe studim afatgjatë

Tiranë, 29 tetor, NOA - Në vazhdim të takimeve të tij në shkolla të mesme dhe të larta për informimin e tyre për liberalizimin e vizave, ministri i Brendshëm Lulëzim Basha, ka qenë sot në fakultetin e Juridikut në Tiranë, ku i ka informuar studentët për qëndrimin e tyre jashtë vendit pas marrjes së vendimit për liberalizimin e vizave si dhe përparësitë që do të kenë të rinjtë shqiptarë.

“Ëndrra po bëhet realitet dhe bashkë me të po bëhet realitet edhe rënia e tullës së fundit të murit që ndante Shqipërinë nga Europa. Po bëhet realitet pra aspirata e të gjithë qytetarëve shqiptarë e artikuluar nga këto auditore 20 vite më parë, po bëhet realitet liria e plotë, e paprerë, e pacunguar për çdo qytetar shqiptar”, është shprehur Basha.

Duke shtuar se “liria, e cila më shumë se në çdo kuptim, në kontekstin juridik do të thotë përgjegjshmëri. Dinjiteti, si pjesë e pandërprerë e kësaj lirie, nuk mund të vijë dhe nuk mund të kuptohet pa përgjegjshmëri”.

“Lëvizja e lirë është dhe mbetet lëvizje e lirë në kontekstin e marrëdhënies Shqipëri-BE dhe të marrëdhënive të vetë vendeve të BE me njëra tjetrën. Nuk është dhe nuk mund të trajtohet kurrë si asgjë tjetër”, shtoi ai.

Duke sqaruar më tej se “për pak javë qytetarët shqiptarë do të gëzojnë ekzaktësisht të njëjtat të drejta si çdo qytetar europian në kontekstin e lëvizjes së lirë, por nuk do të gëzojnë të drejta më të mëdha dhe nuk do të kenë detyrime më të vogla se qytetarët europianë ndaj njëri-tjetrit dhe vendeve të tyre sa i përket kategorive të tjera të lëvizjes së lirë, siç janë qëndrimi i përhershëm apo i përkohshëm në territoret apo juridiksionet e ndryshme të BE”.

Sipas tij, në fushatën e cila ka nisur prej kohësh po përdoren qartë termat themelorë. Lëvizja e lire, e cila kryhet vetëm në kushtet e pajisjes me dokumenta biometrike, lëvizje e lirë pa viza, pa u pajisur me një autorizim konsullor, do të thotë përfitim i kësaj të drejte nga ata që posedojnë dokumenta biometrikë.

“Lëvizje e lirë do të thotë jo më shumë se gjysmën e njësisë kohore jashtë vendit tënd, përndryshe jemi në kushtet e qëndrimit dhe jo të lëvizjes së lirë. Lëvizje e lirë do të thotë lëvizje në mirëbesim, që do të thotë të marrim përsipër dhe të zbatojmë gjatë qëndrimit tonë jashtë kufijve të juridiksionit të cilit i përkasim të gjitha normat, parimet dhe rregullat bazë të sjelljes së mirë njerëzore dhe të ligjeve në fuqi, duke u kujdesur kështu edhe që kjo lëvizje të kryhet jo në kushte të sforcuara ekonomike, sa i përket mundësive tona për të paguar transportin, ushqimin, fjetjen, zbavitjen apo çfarëdo tjetër që kushton gjatë kohës së qëndrimit jashtë juridiksionit tonë. Lëvizje e lirë nuk do të thotë punësim dhe nuk do të thotë studim afatgjatë, por kushtet e lëvizjes së lirë padyshim që e bëjnë pakrahasueshmërisht më të lehtë që vizat afatgjata në përputhje me rregullat e vendeve të hapësirës Shengen të merren brenda një kohe dhe në mënyra shumë më të shpejta sesa ka qenë deri më tani praktika”, sqaroi ai.

n.e/NOA

KOMENTE