English

Berisha-Lupiç: Shqipëri-Kroaci, raporte të shkëlqyera

Tiranë, 29 tetor, NOA – Kryeministri Berisha priti sot në një takim shefin e Shtabit Forcave të Armatosura të Kroacisë, Josip Lupiç.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen ai e vlerësoi vizitën e shefit të shtabit të FA-ve të Kroacisë si një shenjë tjetër e marrëdhënieve shumë të mira e miqësore, që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat.

Shefi i shtabit Lupiç, i transmetoi kryeministrit Berisha përshëndetjet më të përzemërta të kryeministres së Kroacisë, Jadranka Kosor . Në takim u vlerësuan reformat e rëndësishme e të suksesshme që kanë ndërmarrë dy vendet për transformimin e sektorit të mbrojtjes dhe shndërrimin e forcave të armatosura në ushtri moderne të standardeve të NATO-s, të afta për të marrë pjesë dhe përmbushur detyra në kuadër të misioneve të Aleancës.

Më tej në takim u diskutua mbi bashkëpunimin shumë të mirë që kanë ndërtuar dy vendet edhe në fushën e mbrojtjes si edhe u rikonfirmua vullneti i dy vendeve dhe qeverive për të zgjeruar dhe me tej atë duke shkëmbyer përvojat, teknologjitë apo shqyrtimin e mundësive për përqasje të përbashkët apo edhe me vende të tjera të rajonit për të pajisur forcat e armatosura me kapacitete të rëndësishme.

Në takim u vlerësua kontributi i dy vendeve tashmë anëtarë të NATO-s në forcim të paqes, stabilitetit, bashkëpunimit e miqësisë në rajon si edhe vullneti për të forcuar marrëdhëniet e shkëlqyera e miqësore dhe për të forcuar bashkëpunimin si në kuadrin bilateral ashtu dhe në atë shumëpalësh në dobi të interesit më të mirë të dy popujve miq, por edhe të mbarë rajonit.

n.e/NOA

KOMENTE