English

Emergjencat civile, Basha, prefektëve: Gatishmëria në shkallën më të lartë

Tiranë, 29 tetor, NOA – Problemet që sjell stina e dimrit me reshjet dhe bllokimin e zonave të veçanta në vend, jo pak herë i ka gjetur të papërgatitur institucionet në vend. Për këtë qëllim, ministri i Brendshëm Lulzim Basha mblodhi sot në një takim prefektët dhe përfaqësuesit e disa institucioneve, për t’u përcaktuar masat që duhet të marrin dhe detyrat që duhet të kryejnë për përballimin e emergjencave të pritshme dimërore.

Basha ka kërkuar nga autoritet që të jenë në gatishmërinë më të madhe duke krijuar bazat dhe rezervat e nevojshme në mjete dhe burime njerëzore për çdo situatë.

“Rreziku qëndron te rutinizimi i përqasjes ndaj këtij problemi. Pra një shkundje e plotë e strukturave në vartësinë tuaj dhe një kontroll dhe inspektim i imët i të gjithë strukturave, që lidhen me përgjegjësinë e prefektëve në çdo qark, duhet të përfundojë me urgjencë brenda një kohe sa më të shkurtër”, tha Basha.

Ai ka shtuar se me nisjen e këtij sezoni, që pritet të jetë i ftohtë dhe i lagësht duhet që gatishmëria të kalojë në shkallën më të lartë. “Përgjegjshmëria e strukturave tona të jetë në shkallën më të lartë. Inspektimi, monitorimi, të kryhet jo një herë por disa herë në muaj dhe mos të ketë asnjë justifikim për mospasje në gjendje pune të infrastrukturës mbështetëse, apo të infrastrukturës parësore në shërbim ose nën kërcënimin e situatave të emergjencave civile”, tha ministri.

Basha përcaktoi detyra për monitorimin e situatës në përputhje me planin kombëtar të emergjencave civile, mbledhjen e informacionit mbi nevojat për bazë ushqimore për banorët dhe gjënë e gjallë, gatishmërinë e hidrovoreve, marrjen e masave për furnizimin normal me energji elektrike.

“Mjetet e gatshme qoftë nga njësitë e enteve publike, qoftë nga njësitë kontraktore private sipas rastit duhet të kontrollohen dhe gatishmëria e tyre duhet të raportohet me shkrim nga përgjegjësit përkatës pranë zyrave të prefektëve jo më vonë se datë 10 Nëntor , t’i përcillet Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile dhe duhet të përditësohet çdo dy javë”, tha ai.

Nga ana tjetër Basha njohu prefektët dhe me realizimin e projekteve në nisura pas situatave të mëparshme të emergjencës.

“Në kuadrin e projekteve që kanë nisur që me çeljen e buxhetit për vitin 2010 është e rëndësishme të sigurojmë që në fillim të këtij sezoni, aspektet kritike të këtyre projekteve qofshin riparim argjinature, përfundim i një aksi rrugor etj, të jenë të përfunduara dhe të merren të gjitha masat për të përshpejtuar përfundimin e tyre”, u shpreh ministri.

Ministri u ndal dhe në përvojën e fituar pas kapërcimit me sukses të situatës së emergjencës civile të krijuar në qarqet e Shkodrës e të Lezhës si rezultat i përmbytjeve të shkaktuara në fillim të këtij viti.

a.k/NOA

KOMENTE