Tiranë, 29 tetor, NOA – “Javë më parë Partia Socialiste i dorëzoi kryeministrit ofertën e saj jo të vetme, por të fundit për zgjidhjen e rrugës pa krye ku e ka zhytur vendin ky kryeministër pa vota dhe me vota të vjedhura.
Kjo ofertë për transparencën e zgjedhjeve në përputhje të plotë me rezolutën e Parlamentit Europian sigurisht do t’i hapte rrugën jo vetëm reformës elektorale, por edhe mbarë reformave të tjera për të cilën ka aq shumë nevojë vendi ynë. Heshtja e Sali Berishës tregon më së miri se ai nuk ka jo vetëm vullnet politik, por as më të voglin shqetësim dhe dëshirë për zgjidhjen e kësaj krize”, tha kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, gjatë një komunikimi me gazetarët.
“Javë më parë deputetja e PS, Ermonela Felaj me dy kolege të tjera të saj, përsëri të partisë sonë me një gjuhë rrugaçërore, ofendohet dhe kërcënohet publikisht me jetë nga bashkëshorti i Ministres së Integrimit nën shoqërimin e kësaj të fundit. Një sjellje kjo që tregon jo vetëm mendësinë rrugaçërore, por edhe atë kriminale të oborrit të kryeministrit Sali Berisha. Vetëm 2 ditë më parë një tjetër deputetë, përsëri i PS, Saimir Tahiri, ofendohet dhe kërcënohet me prerje koke në komisionin e ligjeve të kuvendit të Shqipërisë, autor sërish një beniamin deputet i Sali Berishës. Javë më parë në parlamentin e Shqipërisë përsëri Sali Berisha votoi në mënyrë antikushtetuese të pambështetur në asnjë ligj, pa as më të voglin transparencë, pa as një diskutim dhe duke shkelur të gjitha kompetencat e pushtetit vendor vendosi për shembjen e piramidës dhe ndërtimin e parlamentit të ri, një vendim ky absurd e që shkelë me të dyja këmbët parlamentarizmin shqiptar dhe një përpjekje e kotë për të hequr vëmendjen nga kriza duke krijuar kriza të reja, duke fshehur kështu shpërdorimin e parave të shqiptarëve nëpër projekte groteske që janë vetëm në mendjen e tij. Po në të njëjtin ditë maxhoranca voton për heqjen e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste Ilir Beqaj dhe megjithëse votimi në fjalë nuk morri shumicën e votave të të pranishmëve, refuzon të pranojë humbjen dhe vazhdon të veprojë në shkelje të plotë të kushtetutës së vendit. Por ngjarja më e rëndë e që tregon më së miri se shteti i sunduar nga Sali Berisha tashmë ka marrë rrokullimën, ishte vrasja e kolegut dhe komunarit të PS Remzi Veseli, e cili ashtu sikurse deputeti Fatmir Xhindi 16 muaj më parë, vritet në prag të shtëpisë, në prag të fushatës elektorale dhe përgjegjësinë për të dyja këto vrasje të pazbuluara ende sot pas 16 muajsh për deputetin Xhindi, përsëri ne akuzojmë pushtetin e Sali Berishës. Të gjitha këto ngjarje që shkojnë njëra pas tjetrës e që kanë si atë që citova më lart akte rrugaçërore, ashtu edhe arrogancën e këtij pushteti e deri tek tragjikja me vrasje përfaqësuesish të opozitës janë shenja të qarta ku ndodhet sot Shqipëria. Sali Berisha nuk është thjesht shkaktari i kësaj krize. Është po ky njeri që po bën çmos që kjo krizë të majiset duke e çuar në çoroditje totale të gjithë shtetin. Sali Berisha e shkaktoi këtë krizë dhe tani po na provon se nuk ka as vullnetin dhe as dëshirën për ti dhënë fund asaj. Dje mediat ndërkombëtare duke ju referuar debatit të zhvilluar në kolegjin e komisionerëve të Bashkimit Europian i japin Shqipërisë një sinjal të keq. Siç lajmërojnë këto agjenci, aplikimi për statusin e vendit kandidat paraqitur në prill të 2009 nuk duket se do të marrë një dritë jeshile në rekomandimet që ky kolegj do ti bëjë në kuadër të paketës së zgjerimit në datën 9 nëntor. Krimi dhe korrupsioni, kapacitetet e dobëta administrative dhe sigurisht në themel të tyre qëndron dhe kriza e thellë ekonomike dhe institucionale e shkaktuar përsëri nga i njëjti emër Sali Berisha janë arsyet e forta që do ndikojnë në vendimin e këtij komisioni për të mos hapur bisedimet për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Kjo ishte deklarata që kisha për bashkëbisedimin me ju sot”.
Pas pak ditësh pritet të vijë në Shqipëri një delegacion i PE, me synim zgjidhjen e krizës politike dhe fillimin e negociatave mes palëve. Nëse arrihet një marrëveshje mes jush dhe kësaj maxhorance dhe plotësohet ky kusht pra gjetja e një marrëveshje për krizën politike për hetimin e zgjedhjeve të kaluara, a do të riktheni në parlament?
Së pari, nuk kemi një njoftim të tillë që do të vijë një delegacion nga BE. Ndoshta mund të keni të drejtë juve. Unë di që në fillim të javës ka një mbledhje të komitetit të përbashkët me Bashkimin Europian në Tiranë që është mbledhja e radhës. Nëqoftëse përfaqësues të nderuar të BE do të marrin përsipër të negociojnë për zgjidhjen e krizës ata janë të mirëpritur. Janë të mirëpritur dhe opozita shqiptare e ka përmbushur detyrën e saj të shtëpisë në zbatim të detyrave që i ka lenë Shqipërisë BE nëpërmjet rezolutës së miratuar nga PE për zgjidhjen e krizës. Oferta e fundit javë më parë që kryetari i PS zoti Rama i ka paraqitur tryezës së partive politike dhe personalisht kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, është pikërisht ngritja e komisionit hetimor parlamentar për transparencën e zgjedhjeve në përmbushje të plotë të amendimit të rezolutës së BE për materialet zgjedhore. Pra nëse unë do ta lidhja me pjesën e dytë të pyetjes që ju drejtoni, do t’ju përgjigjesha me dy fjali, mos pyesni se çdo të bëjë Partia Socialiste në raport me krizën në parlamentin shqiptar. Pyesni Sali Berishën se çdo të bëjë me përmbushjen e kërkesave legjitime që ka të paplotësuara ky njeri me opozitën
Ju përmendët pak më parë disa media europiane, konkretisht ka qenë dje Europian voice, e cila ka folur në lidhje me çështjen e statusin të vendit kandidat për Shqipërinë që pritet që opinioni nga komisioni të jepet në datën 9 nëntor. Por aty thuhej qartë që bojkoti i opozitës është arsyeja numër një për të cilën nuk do të hapen negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, por me Malin e Zi po. A ndjen PS përgjegjësi për këtë situatë?
Së pari nuk është një agjenci, por janë disa agjenci. Së dyti nuk e di se ku e keni gjetur që bënë përgjegjëse bojkotin. Bojkoti opozitar i dikurshëm i opozitës ka qenë pasoja, nuk është shkaku. E treta rezervat që ka pasur kolegji i komisioneve kanë qenë tre elementë, krimi, korrupsioni dhe kriza politike. Tre shtyllat që kanë qenë kauza e luftës politike të opozitës shqiptare. Besoj që ekranet tuaja, faqet e gazetave, e gjithë media elektronike dhe e shkruar në Shqipëri, kur ka përcjellë aksionet politike të opozitës, këto të treja kanë qenë kauzat e Partisë Socialiste. Lufta kundër krimit dhe paaftësia e qeverisë për sigurinë e jetës, korrupsioni qeveritar dhe përgjegjësia e qeverisë për zgjidhjen e krizës politike. Kështu që në këtë kuadër ne e konsiderojmë aksionin tonë politik si avokati të të gjithë atyre parametrave që kërkojnë partnerët tanë ndërkombëtarë që vendi ynë i përbashkët të përmbushë për aderimin e Shqipërisë në BE.
A është thjesht çështje numerike e votave që një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Berisha nuk po realizohet nga grupi i PS. Dhe e dyta, a mund të na shpjegoni se çfarë do të bëjë PS duke filluar nga e hëna që vjen, do të marr pjesë në komisione parlamentare, do të jetë në seancë dhe nuk do të votojë ligjet. Mund të na shpjegoni sesi do të jetë konkretisht?
Së pari, për mocionin ju merrni shkas nga ajo që kryetari i PS tha në një nga ekranet e TV. Dua të sqarojë se, kryetari e sqaroi e bëri të qartë atë, mocioni është një akt. Mocioni është një e drejtë kushtetuese e çdo opozite në një vend demokratik. Mocioni është një veprim politik, një akt politik. Mocioni është një akt demokratik, mocioni nuk është asnjëherë aritmetikë. Kur ky akt kushtetues, politik dhe demokratik siguron edhe anën numerike ka të bëjë me rezultatin që jep një mocion mosbesimi në parlament. Pra ajo që ka deklaruar si kryetari i partisë dhe që do të thosha unë sot, është për të ardhur keq që në këtë vend të mungojnë mocionet, kur këto mocione shikohen qartë tek kriza politike, tek mungesa e sigurisë, tek korrupsioni qeverisë, tek papunësia, tek kapja e institucioneve të shtetit nga pushteti, e plotë e plotë probleme të tjera. Nëqoftëse do të vazhdoja si me problematikën e gjerë në shëndetësi, në arsim, në papunësi, standardet e jetesës e kështu me radhë. Pra një qeveri e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme nuk duhet të priste mocionin e besimit nga opozita, por duhet të jepte dorëheqjen para kësaj gjendje dhe para kësaj situate, si e paaftë për t’ju dhënë përgjigje këtyre shqetësimeve.
Për sa i përket pyetjes së dytë më duket se nënvizova pak më parë. Dje ne dhamë një mesazh politik në seancën e parlamentit në përgjigje të të gjitha këtyre që unë numërova në deklaratën për shtyp. Në përgjigje të pyetjes së parë shtrova, mos pyesni se çdo të bëjë opozita me atë që deklaroi ditën e djeshme në parlament. Pyesni se çdo të bëjë mazhoranca, jo me plotësimin e kushteve por me zgjidhjen e problemit. Kur themi zgjidhjen e problemit e para zgjidhja e krizës politike që varet tashmë vetëm tek mazhoranca. Nëse kjo do të ketë një përgjigje pozitive mos prisni se çfarë do të thotë opozita që deputetët dhe bashkëshortët e tyre kanosin deputeten Felaj apo deputetin Tahiri në mbledhje komisioni. Cila do të jetë përgjigja që do të japë drejtuesja e parlamentit për të ndëshkuar këto akte dhe kryeministri i vendit. Mos pyesni opozitën çdo të bëjë, por pyesni kryeministrin çdo të bëjë dhe pse nuk e ka bërë zbardhjen e tragjedisë për deputetin Xhindi dhe së fundmi për komunarin në Kukës. Pra këto janë probleme konkrete dhe që duan një përgjigje konkrete nga kryeministri. Një gjë ju garantoj, se opozita do të jetë në lartësinë e detyrës së saj për ti plotësuar ato në kushtet dhe në zbatim të Kushtetutës së vendit, të ligjeve të vendit dhe të parametrave të demokracisë dhe mbi të gjitha brenda interesave të këtij vendi.
Kam deklaruar dhe herë tjetër dhe po e ri deklaroj, ky vend në qoftë se i mungon qeverisja dhe standardet e tjera për veprimet dhe mos veprimet e saj, nuk duhet ti mungojë veprimi opozitar. Këtë jua garantojë.
Ndërkohë që kryeministri deklaroi dje se po mendon dhe po shqyrton ofertën e PS, nga ana e saj PS sa është e gatshme t’i lërë kohë në dispozicion mazhorancës për të shqyrtuar dhe për t’i dhënë një përgjigje konkrete. Kur do të nisni me protestat nëse kjo përgjigje nuk vjen?
Sigurisht i kemi lënë kohë, kemi mbi 15 muaj, në mos gabohem, që kauza jonë politike mbi bërjen e transparencës besoj ka qenë e mjaftueshme. Së dyti ne e kemi dorëzuar ofertën sot e një javë më parë dhe përsëri kryeministri atë fjali që artikuloj atë ditë, atë fjali artikuloj dhe dje. Mandej atë fjali që artikuloj të parën e mohoi me të njëjtat argumenta që ka përdorur sot e 15 muaj. Në qoftë se do të bëjmë lojëra fjalësh e s’do të kemi veprime konkrete si rezultat i vullnetit të munguar politik për zgjidhjen e krizës, sigurisht ne nuk kemi humbur durimin, ne nuk humbasim durimin, por askush të mos pres që ne të lodhemi apo ne të tërhiqemi. Çdo ditë që kalon na tregon sesa të drejtë kemi pasur ne në luftën për transparencën e zgjedhjeve. Çdo ditë që kalon tregon sesa të vështirë dhe të pamundur e ka Sali Berisha bërjen e transparencës së zgjedhjeve dhe kur opozita zbaton atë që PE në rezolutën përkatëse të nxjerrë për Shqipërinë ka thënë që të ngrihet komisioni hetimor me objekt hetimi materialet zgjedhore, siç e kemi deklaruar edhe në bashkëbisedimet e tjera së bashku.
Javën e parë, madje edhe në ofertë që dorëzoi zoti Rama në tryezën e reformës zgjedhore, nuk kemi parë të artikulohet fjala fletë votimi. Socialistët e kanë harruar kauzën e madhe që i çoj dhe në grevën e urisë në majin e këtij viti? Apo po vazhdon të studiohet mundësia e dërgimit të kërkesës për interpretim të hapjes së kutive të fletëve të votimit në Komisionin e Venecias?
Nuk ka harruar asgjë PS. Përkundrazi PS e ka bërë të qartë që transparenca e plotë do të ishte e gjithçkaje që ekziston në materialet e votimit dhe në kutitë e votimit. PS e ka bërë të qartë edhe në bisedimet bilaterale midis PD dhe PS që problemi ka qenë çështja e qëndrimit që duhet mbajtur për fletët e votimit, kur s’kemi arritur konsensus me mazhorancën. PS ka deklaruar që përsa i përket kutive të votimit ato të konservohen ashtu sikurse përsa i përket fletëve të votimit, PS megjithë tentativat e veta për të arritur një kompromis me mazhorancën edhe për fletët e votimit kërkoj dy elementë: e para që ato të mos digjen. E dyta lidhur me raportin e transparencën së kutive të fletëve të votimit PS do i drejtohej Komisionit të Venecias. Pra ne në kërkesën tonë kemi përcaktuar kutinë e materialeve të votimit. Atë që dikur Sali Berisha e pohonte me të madhe. Kjo tregon dhe njëherë se Sali Berisha dhe kur e ka pohuar atë nuk e ka besuar tek vetvetja dhe në vetvete nuk e pranon që të bëjë transparencën as të materialeve zgjedhore. Ditën e martë Sali Berisha tha se kutitë e votimit do të ruhen. Atëherë nuk ngelet asnjë pengesë, të ngrihet komisioni hetimor për materialet e votimit dhe kutitë e fletëve të votimit të ruhen. Le të filloj që nesër. Pra këtu nuk është PS ajo që heziton, nuk është PS ajo që nxjerr sebepe pa sebepe për të penguar transparencën e zgjedhjeve dhe për të hedhur hapin e duhur për zgjidhjen e krizës politike, por është mazhoranca dhe personalisht Sali Berisha.
Kryeministri dje citoi se në datën që ju keni dorëzuar ofertën tuaj të fundit ka një fjali që thuhet hetimi i pa kufizuar i zgjedhjeve që sipas demokratëve kjo është dhe pika anti kushtetuese dhe anti ligjore. Për këtë shkak nuk është pranuar dhe me shumë gjasa nuk do të pranohet dhe oferta juaj e fundit. Me çfarë ka të bëjë ky hetim i pakufizuar i zgjedhjeve ?
Gënjen prapë kryeministri dhe e keqja është se ai vazhdon të besojë gënjeshtrat e tij. Kur flas hetim të pakufizuar të materialeve zgjedhore, do të thotë hetim të pakufizuar të materialeve zgjedhore. Është e shkruar e zeza mbi të bardhë. I gjithë objekti hetimit dhe të gjithë pikat që përshkruhen qartë dhe saktë sipas ligjit për komisionet hetimore flet vetëm për materialet e votimit dhe kaq.
Që të jemi dhe të qartë për mediat, kjo periudhë mund të cilësohet nga PS si bojkot deri në momentin që mazhoranca do të plotësojë ato kushte që socialistët i bënë publike dje në sallën e parlamentit?
Edhe njëherë, fjala bojkot ka 15 muaj që trajtohet nga kundërshtari ynë Sali Berisha. Fjala bojkot s’është artikuluar asnjëherë nga PS, qysh në krye të herës që në shtator të vitit të shkuar. Nuk janë kushte këto që i ka vënë PS. Kush në një vend demokratikë do të pajtohej me mos sigurinë e jetës? Kush në një vend demokratik do të heshte për vrasjen e një përfaqësuesi siç është deputeti i popullit, siç është komunari i zgjedhur? Kush do të heshte kur pushteti lan duart e nuk ndjehet për këto vrasje kriminale të këtyre të zgjedhurve? Kush do të heshte kur pushteti në rastin e deputetit Xhindi i hetonte të gjitha pistat që mund të ekzistojnë në fjalorin e krimit dhe ngelet e fundit vetëm ajo politike? Kush do të heshte kur ndodhi krimi dhe brenda orësh del ministri dhe përjashton vetëm pistën politike për komunarin e Kukësit? Kush do të heshte kur deputetët e opozitës nga ministrat e pushtetit, nga familjar të tyre e aq më tepër zonja të nderuar e të respektuara kanosen, kërcënohen, shantazhohen, se do tu pritet koka, se kanë bërë të vetmin mëkat se kanë denoncuar korrupsionin qeveritar? Kush do të heshte kur në komision të ligjeve beniamini i radhës i Sali Berishës i thotë do të pres kokën deputetit të opozitës se ai shpalos pretendimet e opozitës në mbledhjen e komisionit për njehsimin e ligjeve? Pra këtu nuk kemi të bëjmë me një bojkot, kemi të bëjmë me një veprim politik, mesazh politike për reflektim të pushtetit, për reflektim të mazhorancës, për reflektim të opinionit publik.
Prandaj përsëri unë theksoj, mos pyesni se çfarë do të bëjë opozita me kërkesat e veta. S’janë orekse të opozitës. Pyesni se ç’do të bëjë pushteti, pyesni se kur dhe sa do të reflektojë pushteti për zgjidhjen e këtyre problemeve që s’janë të opozitës, por janë të qytetarëve shqiptarë. Të gjithë kemi nevojë për qetësi. Të gjithë kemi nevojë për siguri. Të gjithë kemi nevojë për demokraci, të gjithë kemi nevojë për transparencë. Të gjithë kemi nevojë për shtet të së drejtës. Të gjithë kemi nevojë për plotësimin e standardeve për përafrimin në BE dhe s’është opozita ajo që do të sigurojë sigurinë e jetës dhe që do luftojë krimin, s’është opozita ajo që do luftojë korrupsionin. Opozita përmbush misionin e vet. Ju keni qenë ata që keni thënë që po flisni vetëm për krizën politike, por s’po flisni për çështje ekonomike, por s’po flisni për probleme të korrupsionit etj. Ka mbi 5 muaj që opozita në parlament dhe në selinë e PS-së po trajton problemet e korrupsionit me fakte konkrete, me njerëz konkrete. Opozita hodhi hapat e duhura për zgjidhjen e krizës, por s’është opozita ajo që zgjidh krizën. Nëse ajo do të qëndronte kokëfortë pa bërë lëshimet përkatëse, kushdo do të kishte të drejtë që është një tekë e opozitë për këtë çështje.
Zoti Ruçi, me këtë mesazh të ri që i lëshohet maxhorancës shihet një thellim i mëtejshëm i krizës. Mbase vetëm fillimi i nëntorit që priten mesazhe të reja për vendin, a duhet të ndodhte ky thellim i krizës tani ose ky mesazh i ashpër për maxhorancën...
Më parë u bë pyetja se kur do të fillojnë protestat. Po e lidhë këtë pyetje me atë. Më duket se opozita përsëri po shpalos përgjegjësitë e saj. Diku ka dalë një lajm nga ju që 15 ditshin e dytë të tetorit ne do të vazhdojmë protestat. Arsyeja që ne nuk i vazhduam protestat ishte pikërisht përmbajtja e pyetjes suaj. Në fakt mbledhjes së radhës, ku diskutoheshin fatet e vendit për liberalizimin e vizave dhe për hapjen e bisedimeve për përafrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, pikërisht opozita i erdhi në ndihmë këtyre mbledhjeve por nuk është faji i opozitës që pikërisht kur diskutohen këto vritet komunari, kur diskutohen këto ministrja kërcënon se do i presë fytin deputetes. Nuk është opozita që e kërcënon me jetë deputetin Tahiri. Nuk është opozita që: vjen në Parlament Kryeministri i vendit dhe kujton se do kompleksojë opozitën, duke akuzuar se opozita po mbron simbolin e diktaturës së Enver Hoxhës. Është Sali Berisha. Nuk është opozita që nuk do të zgjidhë krizën politike. Të gjithë ju e quajtët një lajm të mirë praninë e zotit Rama në tavolinën e partive politike. Ishte pikërisht në funksion të pyetjes që ju shtruat, një mesazh edhe për Brukselin edhe për kundërshtarin politik, por jo një dobësi e opozitës. Nëse Sali Berisha e kuptoi këtë për dobësi, atëherë opozita nuk do të shtrojë kurrizin përpara këtyre paudhësive që rëndojnë mbi shpinën e demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe të shqiptarëve. Prandaj, përsëri po theksoj, mos pyesni se çfarë do të bëjë opozita. Opozita do të bëjë gjithçka kushtetuese, gjithçka të standardeve ndërkombëtare, gjithçka brenda interesave politike të vendit edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, por ne do të bëjmë gjithçka që varet nga ne, asgjë që s’varet në dorë tonë, që varet nga kundërshtari jonë. Ndaj përgjigja edhe në raport me pyetjen që ju shtroni varet se cila do të jetë sjellja politike dhe institucionale e kundërshtarit tonë politik e mazhorancës, e kreut të ekzekutivit shqiptar.
Ju besoj se jeni koshient që zgjedhjet vendore po afrojnë. A është e gatshme Partia Socialiste që të marrëë mbi vete kostot e bojkotit të zgjedhjeve në mungesën e një përgjigjeje nga ana e mazhorancës për kërkesat tuaja?
Për të dhjetën apo të njëqindën herë e kemi sqaruar këtë pyetje që: nuk ekziston, ta harrojë kushdo që i shkon mendja që opozita të bojkotojë. Ne jemi opozitë për të ardhur në pushtet, në pushtetin qendror apo në pushtetin vendor. Jemi e vetmja alternativë për alternimin e pushtetit. Çështja është do të ketë zgjedhje apo s’do të ketë zgjedhje. Ajo që ka deklaruar opozita, nuk do të ketë zgjedhje në Shqipëri dhe këtë përgjegjësi do ta mbajë maxhoranca aktuale dhe Sali Berisha.
Zoti Ruçi, si do të ndodhë që nuk do të ketë zgjedhje vendore, pyetja e parë. Dhe e dyta, zgjedhjet e parakohshme në misionin e opozitës shfaqen dhe zhduken. Do të thotë se ka një mungesë qartësie mbi këtë objektiv apo ....? Ditët e fundit nuk e kemi dëgjuar këtë si opsion.
Edhe një herë po e sqaroj, se po e dëgjoj për herë të parë që s’qenka opsion i opozitës zgjedhjet e parakohshme. Zgjedhjeve u ka kaluar koha. U ka kaluar koha në kuptimin që nëse do të ishin përmbushur të gjitha rrugët institucionale për tu bërë transparenca sipas Kushtetues dhe ligjit për komisionet hetimore sot Shqipëria do të kishte edhe datën e zgjedhjeve të parakohshme për të mos thënë që do të ishin bërë zgjedhjet e parakohshme. Këtë ua garantoj. Dhe së dyti një opozitë, jo vetëm ne, por edhe një opozitë në kushte normale që ditën që humbet zgjedhjet kërkon zgjedhje të parakohshme edhe sikur të kishim të tjera standarde, të tjera zgjedhje, tjetër efektivitet qeverisës e gjëra të tjera. Prandaj kjo është një aksion i Partisë Socialiste, jo thjeshtë për interesa partiake, por është një kërkesë imediate për interesa të vendit dhe për pamundësi të pushtetit.
Nuk i ndalojmë ne zgjedhjet si forcë politike. I ndalon pamundësia për të bërë zgjedhje. Zgjedhjet bëhen kur ka një kod dhe kur ka kushte dhe rrethana që të zhvillohen zgjedhje. Zgjedhje ne kemi bërë edhe në 50 vitet e kaluara se s’kemi bërë vetëm në këto 20 vjet. Nëse do të bëhen zgjedhje si në 50 vjetët e kaluar, atëherë mund të bëhen zgjedhje edhe në 8 maj. Unë flas për zgjedhje të lira dhe demokratike. Nuk ka zgjedhje të lira në Shqipëri.
Zoti Ruçi sot mbaron afati i i vendosur nga zoti Tavo për plotësimin e kërkesave të tij. A i ka dhënë përgjigje PS kërkesave të tij dhe nga nesër zoti Tavo do jetë deputet i PS-së apo do shkojë në ndonjë forcë tjetër politike?
Bëre shumë pyetje që ca më takojnë mua, ca zotit Tavo. E para brenda një force politike nuk ka kushte. Unë fola për një forcë tjetër politike dhe nuk i quajta ato kushte. Kushte nuk vendosen brenda një force politike. Zoti Tavo është pjesëtar i familjes time politike. Ka bërë një deklaratë. Do të shpresoja dhe do të besoja që ajo deklaratë e bërë nga zoti Tavo të ishte shprehje e një emocionaliteti dhe dëshpërimi lidhur me një situatë, të cilën unë e njoh në rrethin e Gjirokastrës brenda Partisë Socialiste, sepse situata të tilla mund të kemi edhe në vende të tjera, por unë vazhdoj të besoj se zoti Tavo ka një histori të gjatë 15 vjeçare politike me Partinë Socialiste dhe vazhdoj të besoj që këtë histori 15 vjeçare, zoti Tavo , unë nuk do të dëshiroja dhe po të njëjtën gjë dëshiroj që edhe zoti Tavo të mos e humbasë, së pari. Së dyti nuk e ka vetëm zoti Tavo, por e ka edhe elektorati q e ka votuar zotin Tavo 15 vjet rresht, të cilin unë mendoj se zoti Tavo s’duhet ta humbasë edhe këtë elektorat, ashtu sikurse edhe familja biologjike e zotit Tavo ka një histori 15 vjeçare me PS që unë përsëri do të dëshiroja që ai të mos e humbasë. Përsa i takon pjesës tjetër në demokraci ekzistojnë të gjitha liritë e mundshme dhe veçanërisht në Partinë Socialiste, kjo varet vetëm tek zoti Tavo.
Ju në kërkesat tuaja keni përfshirë edhe zbardhjen e vrasjes së komunarit në Kukës, ndërkohë që hetimet kanë vetëm 3 ditë që kanë nisur. A nuk ju duket pak e nxituar që ta përfshini një vrasje të tillë në kërkesat tuaja për pjesëmarrjen në Kuvend?
Unë nuk kam deklaruar aty që derisa të zbardhet kjo, ne nuk do të jemi në Kuvend. Por aty kam deklaruar zbardhjen e krimit për deputetin Fatmir Xhindi dhe kryekomunarin Veselin në Kukës. Sigurisht që në se ju po bëni avokatinë e shtetit, që s’paska pasur kohë 3 ditë dhe ne i paskemi çuar ultimatum, që s’është kështu, ka patur gjithë kohën e mundshme 16 muaj për të zbardhur Fatmir Xhindin. Kështu që le të japë përgjigjen e kësaj, ashtu sikurse do vetëm një minutë kohë për të ngritur komisionin hetimor parlamentar, ashtu sikurse do vetëm 1 minutë kohë për tu distancuar nga akti i ministres Bregu, ashtu sikurse do edhe një minutë kohë për të ndëshkuar aktin e deputetit të PD-së për kërcënimin që i ka bërë deputetit të Partisë Socialiste. Prandaj këto nuk janë ultimatume, nuk janë kushte, janë një kërkesë e domosdoshme për reflektim në sjelljen politike dhe institucionale të ekzekutivit aktual që nuk duan as ditë, as muaj dhe as vite. Por duan thjeshtë vullnet politik dhe të ndryshojë filozofia e sjelljes së një maxhorance në kushtet e një demokracie, në kushtet e një Parlamenti pluralist, ku të zbatohen rregullat dhe normat, jo më që ju duhet të jeni shqetësuar që ju ishit në Parlament dhe nuk morët gjë vesh se ç’kishte vendimi për ngritjen e një Parlamenti të ri. Morët vesh gjë ju, dëgjuat ndonjë pyetje, ndonjë debat. Absolutisht jo. Kush është dakord, dakord. Dhe e dini se ç’ka ajo? Pas 200 kur të ngrihet ai Parlament kur ta studiojnë stërnipërit tuaj do të thotë, po sa analfabetë paskan qenë këta deputetët e shekullit 21, të cilët edhe referencën kushtetuese nuk dinë ta vendosin në projektvendimin për ngritjen e këtij Parlamenti që ne po vizitojmë sot pas 200 vjetësh. Referenca kushtetuese është: neni 83 që thotë që vendimet në Parlament votohen 3 herë, në parim, nen për nen, dhe në tërësi, kjo është referenca kushtetuese e këtij projektvendimi dhe e dini ajo që e shoqëron që thotë i përpupunuar, flet për atë Parlament që s’ka miratuar zoti Berisha këtu e dy vjet më parë dhe jo për Piramidën. Pra kemi të bëjmë me një anormalitet tërësisht dhe deri tek profkat që hidhte dje kryeministri në sallën e Parlamentit për të kompleksuar opozitën aktuale se ne po mbronim diktatorin dhe piramidën e tij, kur Piramida është një qendër ndërkombëtare dhe është e bërë me djersën e qytetarëve të këtij vendi dhe ka një emër të nderuar që opozita s’e ka kontestuar fare, “Pjetër Arbnori”.
NOA